Hillari Klinton thotë se akuzat për ngacmim seksuale ndaj bashkëshortit të saj, Bill klinton, ndryshojnë nga ato emrave të profilit të lartë në radhët e republikanëve. Në një intervistë për CNN, të martën, ish-kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë hodhi poshtë paralelet midis akuzave për sjellje të keqe seksuale ndaj bashkëshortit të saj dhe atyre që janë ngritur kundër Presidentit Donald Trump dhe kreut të sapokonfirmuar të Gjykatës Supreme, Brett Kavanaugh.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit tha se “nëse republikanët, duke nisur me vetë presidentin Trump, duan të bëjnë krahasime të tilla, ata duhet të nisin vetë një hetim si ai për Klintonin”.
Kavanaugh, i cili u betua të hënën pas disa javësh debate, është përballur me akuza për sjellje të pahijshme seksuale nga disa gra. Akuza më e rëndë ishte ajo e dr. Christine Blasey Ford, e cila dëshmoi para Komitetit Gjyqësor të Senatit. Mijëra amerikanë qëndruan me orë të tëra para ekraneve për të ndjekur dëshminë e saj dhe atë të Kavanaugh, në një seancë të posaçme të Senatit.
Deklarata e Klintonit nuk u prit mirë nga Juanita Broaddrick, një nga akuzueset më të famshme të Bill Klintonit. Në vitin 1999, ajo pretendoi në një intervistë për NBC se ish-presidenti Klinton e përdhunoi atë në vitin 1978, kur ai shërbente si avokati i përgjithshëm i Arkansasit.
Ish-presidenti vetë nuk u është përgjigjur kurrë këtyre akuzave, duke ua kaluar ato përfaqësuesve ligjorë. Avokati i tij, David Kendall, i mohoi akuzat në atë kohë. Megjithatë, historia e Broaddrick doli sërish në sipërfaqe gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 dhe në dritën e rritjes së popullaritetit të lëvizjes #MeToo, duke inkurajuar viktimat e sulmeve seksuale për të denoncuar.
Ndërsa tensionet rreth konfirmimit të Kavanaugh po merrnin vrull, Broaddrick kërkoi një hetim të FBI-së lidhur me akuzat e veta kundër Klintonit, duke i akuzuar demokratët, të vendosur për një hetim të plotë të FBI-së në Kavanaugh, për oportunizëm dhe standarde të dyfishta.
Në përgjigje të intervistës së fundit të Hillari Klintonit, Broaddrick e quan atë hipokrite.
“Ti hipokrite dhe gënjeshtare. Rasti im nuk u gjykua kurrë. Prandaj kërkoj nisjen e një hetimi tani. Nëse i mbledh 100 mijë firma, bota do ta marrë vesh Hillari. Ku do të fshihesh ti pastaj?, shkroi ajo në Tuiter.(TemA TV)