Pas tensioneve mes aleatëve, qeveria italiane kalon testin në Senat

7 Nëntor 2018, 15:11Bota TEMA

Koalicioni qeveritar në Itali e kaloi provën e votëbesimit në Senat, pavarësisht se ditët e fundit tensionet mes dy partive aleate janë shtuar.

Dekreti i sigurisë, një projektligj i mbështetur nga zv.kryeministri Matteo Salvini, njëkohësisht kreu i Legës, parashikon politika shtrënguese për emigracionin, kufizon të drejtën për azil dhe shton masat kundër terrorizmit dhe mafias.

Disa anëtarë të partisë aleate, Lëvizja 5 Yjet, nuk e mbështetën projektligjin e Salvinit, i cili pavarësisht kësaj kaloi me 163 vota pro, 59 kundër dhe 19 abstenime.

Nëse ky ligj nuk do të votohej, pasoja do të ishte rënia e qeverisë dhe thirrja e zgjedhjeve të reja, vetëm pesë muaj pasi koalicioni Lega-5 Yjet nisi të qeveriste Italinë, duke “shkundur” tregjet financiare me politikat e tij ekonomike.

Por pavarësisht se testi u kalua me sukses, mes dy partive të koalicionit ka mosdakordësi për çështje të tjera.

Lëvizja 5 Yjet e Di Maios po përpiqet t’i zgjasë afatet kohore për hetimin e krimeve të ndryshme, përfshirë edhe korrupsionin. Ndërsa Lega e Salvinit argumenton se zgjatja e këtyre afateve, i njohur si statuti i kufizimeve, do të bëjë që të pandehurit të përballen me gjykime të stërzgjatura.

Gazetat italiane raportonin dje për një rritje të fërkimeve mes dy partive në koalicion, por vetë Salvini u përpoq t’i ulë tensionet para votimit në Senat.

“Nuk ekziston asnjë rrezik për qeverinë. Ne do t’i çojmë deri në fund, një nga një, zotimet që kemi marrë përsipër para italianëve. Pikë!”, tha ai. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje