Buxheti për Mbrojtjen/ Rama: 220 milionë lekë investim, rritje rrogash për ushtarakët (jep detaje edhe për bazën e NATO-s në Kuçovë)

12 Nëntor 2018, 12:17Politika TEMA

Kryeministri Edi Rama ka bërë prezantimin e Buxhetit të vitit 2019 në fushën e Mbrojtjes. 

Në takimin e zhvilluar në Kuçovë, para ushtarakëve, dhe ministres së Mbrojtjes, Rama tha se do të ketë më shumë investime, që nga rritjet e rrogave e deri tek investimi në veshje, mjete pune.

Kryeministri tha se në vitin 2019, qeveria ka planifikuar të investojë 220 milionë lekë për mbrojtjen, që është 10% më shumë sesa viti i shkuar.

Më tej Rama tha se baza e Kuçovës do të kthehet në një bazë serioze ku do të investohen rreth 50 milionë euro nga NATO. Kryeministri gjithashtu tha se pas bazës ajrore në Kucovë, është planifikuar që të bëhet modernizimi edhe i bazës ajrore të Farkës.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Rritje pagash, por do ketë një rritje të konsiderueshme. Shumë më të lartë nga shifra që patë në ekran. Gjatë punës me draftin kemi mundur të fitojmë debatin me Ministrinë e Financave 19% rritje pagash për ushtarët.

Kucova është një qytet që është identifikuar me aviacionin. Qindra persona ishin punësuar falë kësaj baze. Kjo zonë e rëndësishme strategjikisht u kthye në një hapësirë të braktisur. Falë angazhimit dhe seriozitetit që kanë fituar Forcat tona të Armatosura, morëm angazhimin e NATO-s për të investuar në këtë bazë mbi 50 milionë euro. Është një investim që do të sjellë një aeroport me standartet e NATO-s.

Buxheti i Mbrojtjes për 2019 arrin në 22 miliardë lekë ose në 220 milionë. Përbën një rritje me 10% krahasuar me këtë vit. Në përputhje me zotimin dhe objektivat për rritjen dhe fuqizimin e Forcave tona të Armatosura, ky buxhet do t’i vihet në dispozicion ushtrisë sonë. 

Certifikim për batalione, blerja e aksesorëve të nevojshëm për këto forca. Përmirësimi i sistemit të integruar të hapësirës detare.

 Rijetëzimi në tërësi i këtyre pikave kyçe do të vazhdojë sepse përveç modernizimit të kësaj baze ajrore do të vijojmë me bazën ajrore të Farkës. Do të prodhojmë më shumë infrastrukturë në zonat rurale. Pak kohë më parë, ministrja e Mbrojtjes, ka ekspozuar një punë jashtëzakonisht të rëndësishme që po kryejnë Forcat e Armatosura në përmbytje, ku në zonën e Fierit kanë ndërhyrë dhe ende po punojnë me orë të zgjatura.  (TemA)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje