CIA: Princi saudit urdhëroi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi

17 Nëntor 2018, 08:45Politika TEMA

CIA beson se Princi i kurorës Saudite Mohammed bin Salman urdhëroi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, sipas raporteve të medias amerikane.

Burimet pranë agjencisë thanë se kishte bërë një vlerësim të detajuar të provave.

Madje, agjencia tashmë ka njoftuar edhe Qeverinë amerikane për provat që sipas tyre dëshmojnë fajësinë e Princit të kurorës.

Arabia Saudite e ka quajtur pretendimin e rremë dhe këmbënguli se princi i kurorës nuk dinte asgjë për planet për vrasjen.

Arabia Saudite pas 18 ditësh kishte pranuar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në ambientet e konsullatës së vendit, në Stamboll, më datë 2 tetor të këtij viti.

Kështu janë arrestuar plot 18 persona, si dhe janë shkarkuar dy gjeneralë, pasi është provuar se kanë qenë të përfshirë në përplasjen që u mbyll me vrasjen e gazetarit 61-vjeçar arab. Gjeneralët e shkarkuar janë zëvendës shefi i inteligjencës Ahmad al-Assiri dhe Saud al-Qahtani, ndihmës i lartë i princit të kurorës Mohammed Bin Salman

Stambolli kishte akuzuar në mënyrë të vazhdueshme se gazetari ishte vrarë brenda konsullatës dhe trupi i tij ishte copëtuar, por autoritetet arabe kishin mohuar me forcë akuzat, deri mbrëmjen e të premtes.

Edhe faktori ndërkombëtar kishte bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme, për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarjeje, ndërsa në shenjë proteste, braktisën edhe një konferencë investimesh, që po mbahet në Rijad.

Jamal Khashoggi ishte një gazetar saudit, që jetonte në SHBA dhe shkruante për Washington Post, ndërsa njihej si një kritik i vazhdueshëm i Princit të Kurorës, Muhamed bin Salman

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje