Albchrome jep bursa për tre studentë nga Bulqiza që zgjedhin Gjeologji-Minierat në Tiranë

3 Dhjetor 2018, 13:06Sociale TEMA
Albchrome jep bursa për tre studentë nga Bulqiza që zgjedhin

Tashmë të rinjtë në Bulqizë kanë një arsye më shumë për t’iu drejtuar arsimit profesional në qytetin e tyre, si dhe të ndërtojnë një karrierë e të specializohen dhe të kenë një jetë të kënaqshme atje ku i kanë rrënjët dhe jo të kërkojnë me çdo kush emigrimin.

Në fakt, u zhvillua pak ditë më parë në mjediset e kompanisë AlbChrome në Tiranë, ceremonia e dhënies së bursave të studimit për tre studentë nga qyteti i njohur për pasuritë nëntokësore, të cilët janë regjistruar sivjet në vitin e parë në Universitetin Politeknik të Tiranës, në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, dega Gjeo-burime.

Studentët Ronaldo Lika, Denis Nika dhe Gjeladin Hoxha, u vlerësuan për mestaren e tyre mbi notën 8, me të cilën kishin përfunduar me sukses gjimnazin profesional në qytetin e tyre të lindjes.

Dy studentët e parë, sipas rendit të mësipërm, të cilët e kishin përfunduar gjimnazin profesional me mesatare mbi 8.5 përfituan nga kompania AlbChrome një bursë studimi në vlerën monetare të 2 mijë eurove, ndërkohë që studenti i tretë, me mesatare paksa më të ulët u vlerësua me bursë 1 mijë euro. Marrja e kësaj burse për ta është vetëm hapi i parë dhe jo pika e mbërritjes në karrierë, pasi do të kenë mundësinë të kryejnë praktikën studentore si dhe mundësinë e shkëlqyer për punësim pranë kompanisë kryesore të kromit në Shqipëri.

AlbChrome i ka përzgjedhur këta tre studentë, nga 12 studentët nga Bulqiza, të cilët pas përfundimit të gjimnazit profesional në qytetin e tyre janë regjistruar në Universitetin e Tiranës, po në degën e Gjeo-Burimeve, me profil inxhinierinë e burimeve minerare.

AlbChrome, pjesë e Grupit Balfin, ka patur një kontribut domethënës edhe në ngritjen e shkollës së parë të mesme profesionale në Bulqizë, duke u kujdesur që ta furnizojë këtë institucion arsimor si me bazë materiale, ashtu edhe me ngritjen e një laboratori për praktikën, apo duke mundësuar edhe pagesën e disa profesorëve.

Ndaj për kompaninë por edhe për studentët është një fitore e dyfishtë, që 12 nga të rinjtë i janë drejtuar katedrave universitare sivjet.

Studentët ishin vetë të pranishëm në zyrat e AlbChrome, ku edhe nënshkruan kontratën për lëvrimin e këtyre bursave.

Ky proces do të vijojë dhe në vitet e ardhshme, por kriter për këta studentë ose kolegët e tyre nga Bulqiza, për marrjen e të njëjtave bursa, do të jenë notat e marra gjatë vitit 2018-2019, të cilat duhet të jenë gjithashtu të larta.

Studentët e mësipërm, por edhe të tjerë që kanë përfunduar gjimnazin profesional në Bulqizë, kanë gjithsesi marrëveshje me AlbChrome për të kryer praktikat pranë minierës së kromit të qytetit të tyre, ku edhe i pret një punësim i sigurt

Këtë kontribut modest, por që është gjithsesi stimul dhe lehtësim për studentët, për të minimizuar shpenzimet kryesore bazike për jetesën e tyre studentore në kryeqytet, AlbChrome e ofron si mbështetje dhe si motivim për të rinjtë e Bulqizës, që ata të investojnë në karrierën e tyre si specialistë minierash, në mënyrë që të kontribuojnë për veten dhe qytetin e tyre pas përfundimit të studimeve.

Gjithashtu, kompania AlbChrome mbështet edhe shkollën profesionale “Ali Myftiu”, në qytetin e Elbasanit, ku të rinjtë kanë gjithashtu një perspektivë të madhe punësimi pranë uzinës së ferro-kromit të këtij qyteti.

AlbChrome është pjesë e Grupit Balfin, grupi më i madh dhe inovator i investimeve në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajon, i njohur edhe për investimet e zonave rezidenciale dhe tregtare, në turizëm me projekte si Green Coast Resort dhe Vala Mar Residences, në industrinë e modës dhe atë minerare, si dhe në aktivitetet e shitjeve me pakicë me rrjetet e dyqaneve Neptun, Jumbo, SPAR, etj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje