Franca do të shohë sot protestën e katërt masive të “jelekëve të verdhë”. Në një rrethrrotullimi në veri të Tuluzës, Céline qëndron në një barrikadë të ndërtuar nga paleta druri dhe goma të vjetra. Flamujt francezë fluturojnë pranë pankartave që kërkojnë dorëheqjen e Emmanuel Macron.
“Jam përgatitur ta kaloj Krishtlindjen duke protestuar në këtë rrethrrotullim me fëmijët e mi – ne nuk do të kthehemi dhe nuk kemi asgjë për të humbur”, tha 41-vjeçarja, e cili votoi për Macron në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. “Ai mbajti fjalime të mira dhe me të vërtetë besova te premtimet e tij, mendova se vërtet ai do të ndryshonte Francën. Por sot nuk mendoj më kështu”.
Céline është asistent/mësuese në një klasë për fëmijët me nevoja të veçanta dhe fiton 800 euronë muaj. Ajo nuk mund të përballojë qiranë e shtëpisë dhe është e detyruar të jetojë me katër fëmijët e saj në shtëpinë e një të afërmi në periferi të Tuluzës, në jug-perëndim të Francës.
“Vendimi i parë i Macron në detyrë ishte zvogëlimi i taksës së pasurisë për mega-të pasurit, ndërsa u shkurtoi të varfërve ndihmën për strehimin”, tha ajo. “Kjo është një padrejtësi serioze. Vendi po ngrihet dhe ai qëndron i heshtur, ai fshihet në kullën e tij të fildishtë, kjo është ajo që më shqetëson, ai nuk merr përgjegjësi “.
Në barrikadën e ngritur në Lespinase, 20 persona nga fshatrat përreth, ndërtues, infermierë, punëtorë në industrinë e aviacionit lokal, protestuan të veshur me xhaketa të verdha të dukshme. Shoferët e kamionëve dhe makinave që kalonin në rrugë u shprehnin mbështetjen. “Mos u dorëzoni!”, u thërrisnin nga dritaret e mjeteve.
Kjo protestë e qytetarëve, e cila filloi si një revoltë spontane ndaj taksës së karburanteve u rrit muajin e kaluar, duke u shndërruar në një lëvizje anti-qeveritare dhe anti-Macron. Demonstruesit thonë se Macron është një monark arrogant në tentativë. “Ai e paraqet veten jashtë vendit, – thonë ata, – si një hero progresiv që mund të frenojë valën e nacionalizmit, por në vendin e tij ai simbolizon një elitë të largët politike, duke nxitur mosbesimin dhe duke i shtyrë njerëzit drejt populizmit”.
Qeveria franceze i frikësohet dhunës jo vetëm në Paris, por edhe jashtë tij. Zyrat e qeverisjes vendore u dogjën në qytetin e vogël qendror të Puy-en Velay fundjavën e kaluar. Në Tuluzë pati beteja me policinë, me disa të lënduar. Kabinat e autostradave janë djegur dhe vandalizuar në Francën jugore dhe kur nxënësit e shkollave të mesme organizuan demonstrata këtë javë kundër reformave të universitetit dhe shkollës, policia e trazirave u detyrua të përdorte gazin lotsjellës.
Protesta e sotme parashikohet gjithashtu të ketë dhunë. Demonstruesit me prejardhje dhe pikëpamjeve politike të ndryshme duken të bashkuar në një pikë: zhgënjimi personal me Macron-in, “arrogancën” e të cilit ata citojnë nga shembujt televizivë, duke përfshirë kohën kur ai i tha një personi të papunë të kalonte vetëm rrugën për të gjetur një punë; kur ai u tundi gishtin pensionistëve për t’u thënë se nuk duhet të ankohen. Pastaj, ka zemërim mbi rinovimet në Pallatin Élysée dhe ndërtimin e një pishine pushimi në rezidencën presidenciale verore. Një sondazh i kësaj jave tregoi mbështetja e Macron ka rënë në 18%.
Isabelle, 41 vjeç, nënë beqare, nuk kishte marrë pjesë kurrë në një protestë. Ajo punon në një dyqane sanduiçësh në aeroportin e Tuluzës për pagën minimale – më pak se 1 200 euro në muaj – dhe turnet e saj të përditshme fillojnë në orën 3 të mëngjesit. Ajo ishte në mesin e shumë personave që kishin nxjerrë të pavlefshme qëllimisht fletën e votimit në raundin përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, pasi nuk donte të zgjidhte mes Macron-it ose Marine Le Pen-it të ekstremit të djathtë.
“Kjo që po ndodh shkon përtej taksës së karburantit”, thotë ajo. “Ne duket se jetojmë në një botë të çmendur, ku të pasurit paguajnë pothuajse asgjë dhe të varfrit vazhdimisht tatohen. Na ka ardhur në majë të hundës elita”, thotë ajo.
Marrë me shkurtime nga The Guardian