Hungarezët kanë zbritur në sheshe ditët e fundit, pas miratimit të një ligji që është cilësuar si “ligji i skllavërisë”. Ndryshimi në Kodin e Punës ka të bëjë me mundësinë që u jep punëdhënësve për t’u kërkuar punonjësve të punojnë deri në 400 orë shtesë në vit jashtë orarit. Me ligjin ekzistues, ky numër nuk e kalon 250-n. Po ashtu, ligji i ri u lejon kompanive ta vonojnë pagesën e punonjësve për orë shtesë deri në tre vjet.
Ajo që i zemëron akoma më shumë protestuesit është një ligj i ri i miratuar, i cili përcakton ngritjen e gjykatave administrative, të cilat janë në varësinë direkte të ministrit të Drejtësisë. Kritikët thonë se kjo do të lejojë ndërhyrjen politike në çështjet gjyqësore dhe do të minojë më tej sundimin e ligjit.
Partitë opozitare janë kundër këtyre dy ligjeve.
Protestat kanë nisur më 12 dhjetor. Më e madhja ishte ajo e së dielës.
Ndonëse protestuesit hungarezë në rrugët e Budapestit patën njëfarë mbështetjeje në internet nga populli francez, ajo që po ndodh në Hungari nuk është e njëjta gjë me lëvizjen e jelekëve të verdhë në Francë.
Hungarezët protestojnë në rrugë duke mbajtur në duar flamuj të BE-së dhe një nga kërkesat e tyre është që Hungaria të bashkohet me Prokurorinë Publike Europiane. Ata thonë se janë lodhur me mediat publike, që përhapin lajme të rreme kryesisht për emigrantët.
Elementi i ri i këtyre protestave, krahasuar me të tjerat në vitin 2010, është se partitë e opozitës janë të bashkuara dhe protestojnë së bashku.
Qeveria pretendon se ligji i ri i lejon njerëzit të punojnë më shumë orë shtesë dhe kjo është në interesin e tyre. Por sindikatat nuk ndajnë këtë mendim dhe po protestojnë me njerëzit në rrugë. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, u tha mediave pas votimit të mërkurën se ligji është i mirë dhe i rëndësishëm.
Në një intervistë me Euronews, zëdhënësi i qeverisë Zoltan Kovacs akuzoi mediat perëndimore për mënyrën se si e kanë paraqitur protestën e hungarezëve.
Ai tha se demonstratat ishin organizuar nga një “opozitë e dobët” dhe hodhi poshtë pretendimet se kërkesat e protestuesve janë të drejta. (TemA TV)