Gjatë ditës së sotme, në Tiranë ka mbërritur një delegacion nga UEFA ku Sekretari i Përgjithshëm, Theodore Theodoridis së bashku me Zoran Lakoviç kanë qenë në ‘Arenën Kombëtare’ për të ndjekur nga pranë punimet në stadium, ku edhe ka folur për mediat.
“Kisha si qëllim që me këtë vizitë para festave, të shihja punimet në stadiumin e ri dhe në zyrat e reja si edhe të takoja një mikun tim. Shqipëria ka hyrë në një fazë modernizimi dhe për këtë jam i befasuar. Kemi edhe projektin ‘Hat-Trick five” dhe jemi të gatshëm t’iu mbështesim me investime, sikurse kemi bërë edhe me federatat e tjera.
Unë nuk jam këtu për të mbështetur kandidaturën e presidentit Duka për Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, pavarësisht se ai është dhe ka qenë miku im edhe përpara se të isha Sekretar i Përgjithshëm i UEFA-s.
Superkupa e Europës? Pse e kufizoni veten vetëm në një kompeticion të vetëm? Nuk e di nëse një ditë kjo finale do të luhet në Shqipëri. Fillimisht duhet të mbarojnë punimet dhe më pas FSHF të shpallë kandidaturën, por ka edhe kompeticione të tjera. Në fund, është Komiteti ekzekutiv ai që vendos”, u shpreh Theodoris.
Kujtojmë që Theodoridis ishte pikërisht personi që pak vite më parë, erdhi në Shqipëri me urdhër të UEFA-s për të dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme dosjen me dyshimet në lidhje me trukimet në Kategorinë Superiore, nga ku e pësoi edhe Skënderbeu duke i hequr një titull kampion (ia riktheu më pas KAS-i) si edhe duke e përjashtuar UEFA nga çdo turne për 10 vjet.