Në Romë tifozët lacialë kanë filluar ta kritikojnë duke harruar pritjet e tij që i kanë shpëtuar nga humbjet, por në Itali ka shumë klube të tjera që kujtojnë se si Thomas Strakosha u ka mohuar shpesh gola të sigurt.
Një prej këtyre klubeve është edhe Interi, i cili prej kohësh e ka renditur portierin shqiptar mes atyre të cilët në të ardhmen mund të zëvendësojnë Samir Handanoviç.
Zikaltërit prej kohësh janë vënë në kërkim të një zëvendësuesi të mundshëm të 34-vjeçarit slloven, duke synuar një të ri i cili të garantonte portën për shumë vite.
Emri i piketuar fillimisht, sipas mediave italiane, ishte Alfons Areola, të cilit i mbaronte kontrata me PSG-në.
Por klubi francez ka vendosur t’i rinovojë marrëveshjen atij deri në vitin 2023, ndaj Interi duhet të shohë në drejtime të tjera.
Sipas lajmeve që vijnë nga përtej Adriatikut, dy alternativat e tjera të vetme të shqyrtuara deri tani janë Strakosha si dhe Kranjo i Kaljarit.
Por fakti që portieri shqiptar ka luajtur rregullisht edhe në arenën ndërkombëtare dhe ka më shumë eksperiencë, shtyn të mendohet se ai do të jetë zgjedhja e parë në momentin që klubi zikaltër do të hyjë në merkato për të afruar një portier.