Shumë prej trajnerëve të cilët kanë drejtuar në Kategorinë Superiore në dekadat e fundit mendojnë se Partizani është ekipi më i mundshëm për të marrë titullin kampion, edhe pse nuk ka aktualisht një diferencë shumë të madhe nga Kukësi i vendit të dytë apo Teuta që i ndjek.
Emra të cilët kanë drejtuar disa nga skuadrat më të mëdha në vendin tonë, duke i dhuruar atyre edhe trofe, besojnë se ekipi i Gegës, për një arsye apo një tjetër, është një hap para rivalëve për lojën që ka treguar.
Në prononcimet e tyre për “Panorama Sport” janë Sulejman Starova, Shkëlqim Muça, Dervish Haxhiosmanoviç, Faruk Sejdini, Haxhi Ballgjini, Astrit Hafizi dhe Hysen Dedja të cilët i kanë dhënë përparësi Partizanit në betejën për titullin kampion. Është paksa e papritur por kësaj liste i shtohet edhe Mirel Josa, i cili për shumë vite ka drejtuar rivalët më të egër të të kuqve në kampionat, Skënderbeun, pa harruar edhe Tiranën.
Ndërkaq, Edmond Liçaj dhe Shpëtim Duro kanë lënë gjithçka të hapur në luftën për titullin kampion në Superiore, ashtu si edhe Sulejman Mema dhe Alban Tafaj të cilët shohin shanse thuajse të njëjta për fitoren nga Partizani dhe Kukësi për arsye nga më të ndryshmet, duke filluar nga pikët aktuale, fusha apo merkato.
Gjithashtu, bie në sy fakti se tashmë pakkush prej tyre sheh Skënderbeun si një ekip të denjë për të rivalizuar për titullin jashtë kësaj dysheje, duke i dhënë më shumë shanse Teutës që të bëjë rolin e “të tretit të padëshiruar” në këtë duel.