Trukimet, kronika e njollës që ndoti futbollin shqiptar

21 Janar 2019, 09:48Sport TEMA

Historia e trishtë e një skandali që vijon të mbajë për fyti sportin më popullor në vend

Nga Fatjon Baze

Në vitin 2012 një raport i publikuar nga kompania “Sportradar”, lideri botëror në monitorimin e fluksit të parave në bastet sportive e nxorri Shqipërinë në vendin e parë në botë për manipulimet e ndeshjeve.

Në raportin e publikuar asokohe nga “Sportradar”, rezultoi së në 97 raste ka pasur trukime ndeshjes.

Ai ishte një nga rastet më të paprecedenta për futbollin shqiptar, por që nga ana e Institucionit të futbollit shqiptar (FSHF) nuk u mor asnjë masë parandalimi, por përkundrazi ky fenomen vijoi edhe më tepër – derisa UEFA e mori vet në dorë për të ndaluar këtë sëmundje të klubeve shqiptare që e shihnin pjesmarrjen në Kupat e Europës si një mundësi të artë për trukim të ndeshjeve dhe rrjedhimisht përfitime të paligjshme nga hedhja e ndeshjeve në kompanitë e basteve.

Kulmi arriti në vitin 2016 kur Inspektorët e UEFA pas një investigimi dy vjeçar dhe mbledhjeve të fakteve vendosën që të dënonin klubin e Skënderbeut me 10 vite përjashtim nga Kupat e Europës dhe dënimin me 1 milionë euro gjobë. Ky është rasti i parë që një klub shqiptar merr një dënim kaq të rëndë për një fenomen të jashtëligjshëm. Pas publikimit të raportit, UEFA bëri edhe një deklaratë të jashtëzakonshme për shtyp, ku deklaronte se inspektorët e saj patën marrë kërcënime me vdekje nga burime anonime.

“Inspektorët Disiplinarë të UEFA-s që punojnë mbi këtë rast kanë marrë kërcënime anonime me vdekje, të cilat supozohet se synojnë t’i frikësojnë ata që të ndalojnë të kryejnë punën e tyre. Këto kërcënime nuk do t’ia dalin dhe policia është informuar,” theksohej në deklaratën e UEFA-s.

Ky ishte një nga raportet më voluminoze të UEFA-s për trukimet në futbollin shqiptar, por pavarsisht kësaj ajo që ishte dhe më qesharake – ishte heshtja e Federatës Shqiptare të Futbollit e cila nuk mori asnjë masë penalizuese për klubin e Skëndërbeut – por as ndonjë inicativë për të ndalur këtë fenomen. Kjo u vërtetua edhe nga deklarata e bëra nga ish shefi i Departamentit të UEFA-s për integritetin dhe Disiplinën, Emilio Garsia, i cili gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri tha se bashkupinimi me Prokuroinë shqiptare dhe FSHF-në ishte i pamundur.

Klubi i Skënderbeut u dënua përmes Sistemit që UEFA-a ka ngritur – i cili është për Bastet dhe Mashtrimin, njohur në akronimin në anglisht BFDS, që është krijuar në vitin

2009 dhe monitoron afërsisht 32 mijë ndeshje për sezon dhe është në gjendje të raportojë aktivitete të pazakonta në vënien e basteve sportive të një profili të caktuar në tregjet kryesore. UEFA e kryen këtë analizë në bashkëpunim me kompaninë zvicerane të basteve Sportradar.

Megjithatë, edhe pse Skënderbeu mori një dënim shembullor – kjo nuk shërbeu aspak si një reflektim për klubet shqiptare të cilat sërish vijuan të trukonin ndeshje. Rasti më i fundit është skuadra e Luftëtarit të Gjirokastrës, e cila në pjesmarrjen e saj të parë hisotrike në Kupat e Euroës, baltosi gjithçka. Përmes një shkrese zyrtare, UEFA i ka bërë të ditur Federatës Shqiptare të Futbollit se janë duke hetuar ndeshjet që bluzinjë kanë bërë në dy takimet kundër Ventspils.

Këto janë dy raste zyrtare – ku kemi të bëjmë me një dënim konkret të UEFA-s dhe një hetimi që pritet që gjithashtu të shoqërohet me një tjetër dënim shembullor për një tjetër klubit shqiptar, që në rastin konkret është Luftëtari dhe sot Kategoria Superiore është i vetmi kampionat në Botë që ka një klub të dënuar dhe një tjetër që është në prag dënimi.

Ekipet e tjera shqiptare të akuzuara për trukime

Skënderbeu dhe Luftëtari nuk janë ekipet e vetme shqiptare që janë dënuar dhe akuzar për trukime. Në futbollin shqiptar lista e skuadrave që e kanë kryer këtë akt të jashtëligjshëm është shumë e gjatë duke nisur që nga ekipet që kanë shkruar historinë.

Besa, Partizani, Dinamo, Elbasani, Vllaznia, Tirana, Flamurtari, Kastrioti, Kukësi– janë gjithashtu të përfoluara si skuadra që kanë trukuar ndeshje. Shumica e klubeve të sipër përmenduara akuzohen për trukime po nga UEFA – por që më së shumti i kanë kryer ato në kampionatin vendas- ku edhe pse ka pasur nisje të hetimeve nga ana e prokurorisë, asnjëherë rezultatet nuk kanë qenë të sukseshme pasi justifikimi ka qenë se nuk kanë pasur prova – edhe pse realiteti tregonte tjetër gjë.

Por, ka edhe nga ato klube që u janë ngritur akuza që kanë shitur dhe në Europë, por në takime miqësore të cilat janë Kukësi dhe Teuta. Biles ndaj tyre ka pasur dhe ndërhryje të policive të huaja duke u sekuestruar telefonat për shkak të dyshimeve se kishin biseduar për të lënë ndeshjet. Në vitin 2017 media austriake “kurier.at” raportoi se u hetua ndeshja e zhvilluar në Austri mbi një trukim të mundshëm të sfidës miqësore mes Dinamos së Moskës dhe Kukësit, gjatë verës së këtij viti. Edhe pse u analiziuan rreth 400 mijë tabulate nga telefonat e sekuestruar të lojtarëve dhe stafit të Kukësit, nuk u arrit dot që të bëhej një lidhje inkriminuese për t’i fajësuar ata.

Por, ajo që habi hetuesit austriakë gjata analizave të telefonave të lojtarëve dhe drejtuesve të klubit shqiptar ishin dy fraza shumë të dyshimta.

“Po ia hedhim UEFA-s” dhe “Ia dhamë arbitrit” që çuditën hetuesit austriakë, po gjithsesi nuk u arrit të bëhej lidhja e këtyre frazave me ndeshjen miqësore ndaj rusëve.

E njëjta situatë ndodhi edhe në verën e vitit 2016 me skuadrën e Teutës e cila u akuzua nga autoritetet austriake për manipulimin e ndeshjes miqësore të luajtur kundër Austrisë së Vjenës e cila përfundoi me shifrat 7-2 për klubin austriak.

Pas sinjalizimeve nga “SportRadar”, policia austriake bastisi hotelin e Teutës në Austri, i mori në pyetje dhe u konfiskoi celularët. Por me kthimin e klubit në Shqipëri, ishte e pamundur që hetimet të vazhdonin. Autoritetet austriake kërkuan që ata të merreshin në pyetje në Shqipëri për llogari të autoriteteve austriake. Por, si gjithmonë edhe në këtë rast autoritetet shqiptare mbyllën gjithçka duke mos dhënë asnjë masë ndëshkuese, ç’ka i jepte në një farë mënyrë mbështejtje këtyre akteve të paligjshme.

Trukimet dhe në ekipet kombëtare

Fenomeni i trukimeve të ndeshjeve nuk është i shtrirë vetën tek sfidat e Kategorisë Superiore – pasi kjo sëmundje nuk ka lënë pa prekur edhe ekipet tona kombëtare duke njollosur atë që është me shenjta për tifozat: fanella kuqezi.

Shpesh herë skuadrat e moshave të Shqipërisë kanë qenë pjesë e akuzave të trukimeve të ndeshje. Në nëntor të vitit 2013, zëvendëssekretari i UEFA-s, Teodoros Teodoridhis, në takimin që pati në Prokurorinë e Përgjithshme ka pohuar se kjo “sëmundje” ka prekur edhe kombëtaret e moshave. Dhe sot në vendin tonë një rast konkret është ish trajneri i kombëtares së femrave, Armir Grima, i cili është arrestuar pas akuzave për trukim ndeshjes dhe ndodhet në burg. Gjithashtu, organizata të cilat monitorojnë fluksin e basteve sportive “Federbet” në 14 Nentor, 2017 hodhi dyshime se ndeshja miqësore e Shqipërisë U-20 me Gjeorgjianë, mund të ketë qenë e manipuluar. “Federbet” shprehej hapur se ajo ndeshje ka regjistruar lëvizje anormale të basteve.

Ndërkohë, akuza të ashpra ka pasur edhe në drejtim të kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili ka dhe përgjegjsinë kryesore. Ish-zëdhënësi i komisionerit europian për të drejtat e njeriut, Gregory Mathy, aktualisht drejtuesi i një Fondacioni Sportiv, gjatë një intervistë të dhënë ku foli rreth zgjedhjeve të FSHF-së në “Completment Foot”, një “talk shoë” radiofonik i kanalit belg RTBF.

I pyetur për bilancin e Dukës në krye të FSHF, Mathy u shpreh se: “Federata në atë vend nuk shihet si një institucion i pavarur, por dyshohet që edhe ajo ka futur duart në këto fiksime ndeshjesh. Kjo ka bërë që Superliga Shqiptare të shihet si një prej kompeticioneve më të korruptuara në botë, për të mos thënë më i korruptuari. Ka pasur ndeshje çdo javë që ngrekë dyshime”.

Jo vetëm kaq, por Mathy hodhi hije dyshime mbi trukime edhe për ndeshje të Kombëtares së futbollit.

“Kombëtarja e Shqipërisë ka bërë hapa të mëdha, e mbani mend që u kualifikua në Europian, por duhet thënë se mënyra se si fituan ndeshjen vendimtare 3-0 në Armeni gjithashtu ngriti dyshime. Disa drejtues armenë akuzuan disa lojtarë të kombëtares së tyre si tradhëtarë të kombit. Kjo bën të kuptohet atmosferën që u krijua”, shtoi Mathy.

Dhe sot realiteti i futbollit shqiptar është shumë i hidhur ku kemi të bëjmë me një futboll që është i gjithi fallco dhe fatkeqësisht brezat e rinj po edukohen në mënyrën më mizore të mundshme duke toleruar ndeshje. Derisa ky fenomen të zhduket, futbolli nuk do të ketë jetë – nuk do të jetë “fair-play”. (TemA Javore)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje