I lumtur për golin por jo për rezultatin që regjistroi skuadra në fushë.
Sokol Cikalleshi në një intervistë për emisionin Zona Gol në Supersport, zbuloi përse zgjodhi të transferohej te Akhisarspor duke u rikthyer te kjo skuadër ndërsa shtoi se kërkon që me paraqitjet e tij te kjo skuadër të rikthehet edhe në kombëtaren shqiptare.
“Dhashë maksimumin tim sa u futa në fushën e lojës. Jam shumë i lumtur që shënova, por më vjen shumë keq që ekipi humbi. Në të shkuarën pata një eksperiencë shumë të mirë në gjashtë muaj që kam luajtur për Akhisarsporin.
Kjo ishte dhe arsyeja përse presidenti i klubit vendosi të sakrifikonte për të më sjellë mua këtu.Dua që t’ua shpërblej drejtuesve besimin e dhënë duke shënuar sa më shumë. Një ndër arsyet që vendosa të vija këtu ishte për të pasur më shumë minuta.
Shpresoj që me paraqitjet me Akhisarsporin të më ndihmojnë edhe për kombëtaren”, përfundoi sulmuesi kuqezi.