Lëvizja më e çuditshme e ditës së djeshme në merkato, ishte transferimi i Kevin Prince Boateng nga Sasuolo te Barcelona.
Mesfushori 31-vjeçar që të shtunën në mbrëmje luante me Sasuolon kundër Interit, sot ka folur para medieve si futbollisti më i ri i katalanasve.
Ai është shprehur se i vjen keq për Sasuolon duke qenë se la një grup të mirë dhe se kur e kërkoi Barcelona, ishte i gatshëm të shkonte me vrap dhe jo me avion. Mesi? Boateng shprehet se mund të thotë vetëm që është më i miri në botë.
“Vlerësimi për Realin? Më i miri në botë është Mesi, dhe nuk kam asgjë tjetër për të shtuar. Ëndrrat mund të realizohen gjithmonë dhe unë kam punuar për këtë mundësi me shumë sakrificë. E di pozicionin tim dhe nuk kam ardhur këtu për të qenë drejtor, por për të dhënë më të mirën kur të kem mundësi.
Mesi dhe Suarez? Është një nder, pasi njëri është më i miri në botë, e tjetri njëri nga sulmuesit më të mirë. Do të jetë një dhuratë për mua të luaj bashkë me ta. Kisha folur me agjentin por ky lajm për mua ishte ëndërr. Kur pashë zyrtarin e Barcelonës, u gëzova pafund.
Më vjen keq për Sasuolon sepse ishim një grup i mirë, por siç thashë, Barcelona nuk mund të refuzohet. Doja që këtu të vija me vrap dhe jo me avion”, u shpreh mes të tjerash Boateng.