Një gjysmë-Brexit, vetëm me Anglinë dhe Uellsin jashtë BE-së, është zgjidhja

22 Janar 2019, 09:14Bota TEMA

Nga Kim Lane Scheppele*

Nëse Skocia dhe Irlanda Veriore rrinë në BE, siç dëshironin votuesit atje, do të hapej dera për një marrëveshje më të mirë për të gjithë.

Kur të gjitha zgjidhjet janë të këqija, është koha për të riformuluar problemin. A është ende e mundur të respektohet referendumi fillestar i Brexit pa kaluar vijat e kuqe të BE-së? Po – përmes një gjysmë-Brexit.

Mbretëria e Bashkuar është e ndarë në katër vende, dy prej të cilave kanë votuar që të rrinë dhe dy prej të cilave kanë votuar të largohen. Qeveria britanike mund t’i nderojë këto vendime dhe të lejojë Skocinë dhe Irlandën e Veriut të qëndrojnë në BE si shteti pasues i Britanisë së Madhe, duke lejuar Anglinë dhe Uellsin (nëse ende e dëshiron) të dalin.

Gjysmë-Brexit nuk nënkupton ndarjen e Mbretërisë së Bashkuar. Përkundrazi: gjysmë-Brexit mund të jetë mënyra e vetme për të mbajtur Mbretërinë e Bashkuar të bashkuar. Nëse Mbretëria e Bashkuar tërheq Skocinë dhe Irlandën e Veriut jashtë BE-së, shanset për një shpërbërje të Mbretërisë së Bashkuar janë shumë më të larta. Por nëse Skocia dhe Irlanda Veriore qëndrojnë në BE, atëherë Anglia dhe Uellsi do të kishin më shumë fleksibilitet për të negociuar një marrëveshje më të mirë. Shtetet e treta – domethënë shtetet jashtë BE-së – nuk mund të zgjedhin se cilat pjesë të BE-së duan dhe dhe cilat jo. Por pjesët e shteteve anëtare të BE-së që mund të jenë jashtë BE-së, munden.

Të paktën 35 vende dhe territore tashmë kanë marrëveshje të veçanta me BE-në, të cilat përfshijnë, për shembull, lëvizjen e lirë të mallrave në BE pa pasur edhe lëvizjen e lirë të shtetasve të BE. Ose marrëveshjet që përfshijnë diçka të përafërt me tregtinë e lirë pa juridiksionin të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED). Etj., etj., etj. Kombinimet e privilegjeve të të qenit brenda BE-së me pavarësinë e të qenit jashtë jashtë saj janë pothuajse të pafundme. Dhe ato tashmë ekzistojnë.

Ekziston vetëm një kleçkë: territoret që mund të zgjedhin atë që duan nga BE-ja në këto mënyra, duhet të mbeten të lidhura me kushtetutë me një shtet anëtar të BE-së. Nga “rajonet e largëta” (nëntë prej tyre), te “territoret e huaja” (25 prej tyre), te marrëveshjet e posaçme me BE-në nga ana e rajoneve të veçanta (një gjysmë duzinë apo më shumë); territore të largëta ose jo kanë pasur marrëveshje të posaçme me BE-në përmes shteteve anëtare të tyre.

Nuk duhet të shkojmë larg për të parë se si ka ndodhur kjo. Ishulli i Manit ka tregti të lirë me BE-në për produktet bujqësore dhe të fabrikuara, por nuk është i nënshtruar ndaj ligjeve të BE-së në ndonjë mënyrë. Guernsey ka tregti të lirë të mallrave në përgjithësi, por asnjë shtetas i BE-së nuk ka të drejta të lëvizjes së lirë në Guernsey. Në fakt, grupi i modeleve që mund të përdoren për një marrëveshje të veçantë për Anglinë dhe Uellsin është pothuajse e pafundme. Por pasja e këtyre opsioneve kërkon që një pjesë e Britanisë së Madhe të qëndrojë në BE.

Si do të ishte e mundur kjo? Pyetjet e së drejtës së BE-së janë relativisht të lehta, ndërsa barra e rëndë, ligjërisht, bie në ligjin kushtetues të Mbretërisë e Bashkuar. GJED-ja sapo ka konstatuar se Britania e Madhe mund ta ndalojë nenin 50 në mënyrë të njëanshme. Duke bërë këtë, Britania e Madhe mund t’i çojë negociatat e saj me BE-në në një drejtim tjetër.

Natyrisht, BE-ja nuk do ta toleronte një proces të hapur të Brexit që do shkaktonte dëme në planifikimin afatgjatë. BE-së do t’i duhet të dijë së shpejti se si të llogarisë Mbretërinë e Bashkuar në ciklin e zgjedhjeve parlamentare në 2019 dhe në ciklin e ri të buxhetit menjëherë pas kësaj. Nëse, megjithatë, Britania e Madhe do të shpallë se Skocia dhe Irlanda e Veriut qëndrojnë në BE, ndërsa Anglia dhe Uellsi largohen, atëherë numri i deputetëve që Mbretëria e Bashkuar duhet të zgjedhë në parlamentin e ri evropian do ndjekë një formulë. E njëjta gjë dhe me kontributin buxhetor. Me këto përshtatje, BE-ja mund të ecë përpara dhe të planifikojë të ardhmen e saj.

Pasi të vendoseshin parametrat e Britanisë së Madhe në Evropë, BE-ja mund të fillojë negociatat me Anglinë dhe Uellsin për një marrëdhënie të re afatgjatë. Kuadri i BE-së për territoret e veçanta nuk ka afate drakoniane – në kontrast me afatet e shkurtra të nenit 50.

Pyetjet më të vështira për tranzicionin bien mbi ligjin kushtetues të Mbretërisë së Bashkuar. Parlamenti i Uestminsterit do t’u duhet t’i japë katër kombeve fuqinë për të bërë marrëveshje ndërkombëtare në emër të vet, në mënyrë që secili të mund të mbetet anëtar (ose jo) i BE-së veç e veç. Të gjitha fushat që mbulohen nga ligji i BE-së do të duhej të transferoheshin nga Uestminster në të katër vendet në mënyrë që ata të mund të siguronin harmonizimin e ligjeve të tyre me ligjin e BE-së (ose jo).

Sidoqoftë, në kushtetutën e Mbretërisë së Bashkuar, të katër kombet nuk janë të barabarta: Anglia do të duhej të siguronte parlamentin e vet për të marrë transferimin e pushtetit. Kjo ide ka qenë e përfolur më parë, kështu që tashmë planet janë në dispozicion. Në fakt, krijimi i një parlamenti anglez do të sillte vetëqeverisjen në shtëpi në mënyrë edhe më dramatike sesa e premtuan propaganduesit e Brexit.

Përtej kësaj, ka pikëpyetje edhe rreth mënyrës së organizimit të kufijve për çfarëdo që nuk do të lëvizte lirisht midis BE-së dhe pjesës së Britanisë së Madhe që largohet. Për të kontrolluar fluksin e njerëzve, Anglia dhe Uellsi mund të kërkojnë leje qëndrimi dhe leje pune për të huajt që jetojnë dhe punojnë në territorin e saj, ndërsa pjesa e MB-së që mbetet në BE do të lejonte lëvizjen e lirë. Korporatat në Mbretërinë e Bashkuar që dëshirojnë përfitimet e statusit të BE-së mund të ri-inkorporoheshin në Skoci duke mbajtur zyrat e tyre të tanishme në Londër – dhe duke kërkuar një taksë të arsyeshme të ri-inkorporimit do të përmirësonte buxhetin e Skocisë.

Në një gjysmë-Brexit, Anglia dhe Uellsi mund të jenë në gjendje të negociojnë lëvizjen e lirë të eksporteve sipas marrëveshjeve të ngjashme me ato të Ishujve të Kanalit. Nëse BE-ja nuk do të ishte e gatshme të shkonte aq larg, marrëveshjet për lëvizjen e mallrave do të mund të zhvendoseshin të paktën nga kufiri i tensionuar ndërkombëtar mes Britanisë së Madhe dhe Irlandës deri në kufijtë më pak

të tensionuar midis Anglisë dhe Uellsit dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Pa afatin e ngutshëm të marsit të nenit 50, këto pyetje mund të zgjidhen në kohën e tyre. Ndoshta Irlanda e Veriut mund të formojë një qeveri deri atëherë.

Nëse Anglia dhe Uellsi një ditë do të dëshirojnë të kthehen në BE pas gjysmë-brexit, rihyrja do të ishte më e lehtë se në qoftë se e gjithë Mbretëria e Bashkuar do të largohej. Një votë unanime e Këshillit Evropian është e mjaftueshme për të rihyrë. Në procesin e rihyrjes, Anglia dhe Uellsi nuk do të humbnin të gjitha marrëveshjet e tyre të veçanta, sepse MB-ja e mbetur në BE do t’i ruante ato.

Me një gjysmë-Brexit, Britania e Madhe mund të nderonte referendumin dhe të lejonte çdo pjesë të Britanisë së Madhe të merrte atë për të cilën votoi. Gjysmë-Brexit gjithashtu do t’i jepte BE-së një mënyrë të hijshme për t’i siguruar një marrëveshje më të mirë Anglisë dhe Uellsit. A nuk është gjysmë-Brexit, atëherë, rruga më pak e keqe për të ecur përpara?

*Profesoreshë e sociologjisë dhe e punëve ndërkombëtare në Universitetin Princeton

Përktheu për TemA: Kebriona Veliaj

1 komente në “Një gjysmë-Brexit, vetëm me Anglinë dhe Uellsin jashtë BE-së, është zgjidhja”

  1. Njutoni says:

    Varjanti i arrnimit.
    Esht karakteristik e fakir fukarait
    Si “tufzat dhe arzat” kapitaliste te Ramis Ali komunistit dikur

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje