Java që sapo filloi do të jetë ndoshta ajo që do të përcaktojë edhe fatin e sezonit për Kategorinë Superiore, duke paracaktuar e vulosur shumë herët luftën për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar.
Me luftën për Europën që është vendosur prej kohësh falë krizës financiare që ka mbërthyer elitën e futbollit shqiptar, edhe ajo për qëndrimin në elitë mund të vendoset nga fati i Kamzës dhe Flamurtarit.
Revolta e futbollistëve të Kamzës dhe paralajmërimi i qartë i trajnerit Gjoka se do të largohet nëse nuk paguhen lojtarët sepse nuk arrin t’i motivojë, shpjegojnë më mirë gjendjen e një ekipi të ndërtuar në letër për të synuar Europën, por që tashmë mban vendin e fundit në klasifikimin e Superiores. Sipas të gjitha gjasave, nëse lojtarët nuk paguhen brenda mesjavës, do të prishin marrëveshjet që kanë me klubin dhe do ta braktisin atë, duek e lënë në mëshirë të fatit e sigurisht duke afruar më shumë kthimin në Kategorinë e Parë.
Shumë larg luftës për mbijetesë duket për momentin Flamurtari, i cili ka të njëjtat probleme sa i përket mospagesës së futbollistëve të tij, edhe pse konkretisht për çështje burokratike. Si në Kamëz, Bashkia nuk merr përsipër detyrimet që ka e lojtarët nuk mund të presin më shumë sesa kanë bërë deri tani.
Eksodi i nisur që në fillimin e janarit me emra si Alvesh, Bushiç e Siljanovski pritet të vazhdojë në ditët në vijim nëse nuk gjendet një zgjidhje, pasi futbollistët që kishin shkuar në Vlorë për të luftuar për trofe, e shohin veten të braktisur. Nëse vlonjtatët do të jenë të detyruar të aktivizojnë të rinjtë, nuk është aspak çudi që edhe ata të marrin rrugën e Kamzës dhe ashtu si në sezonet e mëparshme, të kalojnë javët e fundit të këtij kampionati duke luftuar për pikët që i nevojiten për mbijetesë.
E mërkura para ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë do të tregojë më mirë situatën e dy klubeve, me ultimatumet e lojtarëve përkatës që skadojnë pikërisht atë ditë, kur do të mësohet realisht nëse Kategoria Superiore ka përfunduar pa filluar mirë pjesa e dytë e saj.