Kishte disa oferta mbi tavolinë, por në fund Frank de Boer zgjodhi MLS-në për të provuar një përvojë të re, si dhe duke parë që Atlanta United ka një projekt serioz.
Trajneri holandez kërkon të përmirësojë imazhin e tij, pas përvoja negative me Interin dhe Kristal Palasin. “Njerëzit mendojnë se futbolli në Amerikë është inferior, por nuk është kështu. Jam në një skuadër të vërtetë futbolli”, – ka thënë De Boer në një intervistë për “NAS”. Objektivi i tij është të kthehet të drejtojë në Europë:
“Jam i sigurt se, nëse bëj diçka të mirë këtu, do të kthehem më pas në një klub europian. Kam parë që kur shkova si lojtar në Katar dhe Turqi, kam përfituar shumë. Punoj këtu prej tre javësh dhe më ka surprizuar disiplina. Infrastruktura është shumë e mirë gjithashtu, veçanërisht stadiumi “Mercedes-Benz Stadium”. Është më i bukuri që kam parë”.
Në fund holandezi ka thumbuar sërish Interin, kur ka folur për eksperiencat e mëparshme: “Desha të përqendrohesha, por nuk mund të mbaja gjithë strukturën e klubit mbi shpatulla. Tek Interi ka shumë ndikime dhe donin rezultate menjëherë. Pas katër muajsh kisha ndjenjën se kisha punuar 6 vjet. Isha vërtet shumë i lodhur”, – ka përfunduar de Boer.