Valencia i është afruar shumë një fitoreje të papritur në fushën e Barcelonës por në fund është dashur të kënaqet me një barazim, shuëm pozitiv duke parë se përballë kishte jashtëtokësorin Mesi i cili vazhdon të zgjidhë telashet e skuadrës së tij.
Në “Kamp Nou”, skuadra mike shënoi dy herë shumë shpejt, me Gameiron dhe më pas Parehon që çuan shifrat në 2-0 kur regjistrohej minuta e 32 e takimit.
Por Mesi filloi të bënte gjërat e tij të zakonshme dhe para fundit të pjesës së parë shkurtoi diferencën me një penallti të realizuar me qetësi.
Në pjesën e dytë, argjentinasi përfitoi nga një pasim i saktë i Vidal për të vendosur baraspeshën në shifra, këtë radhë me një gjuajtje të fortë nga distanca, duke çuar në 21 numrin e golave të shënuar deri tani në kampionat.
Mesi provoi edhe disa herë të tjera, por mbrojtja e Valencias ishte e pakalueshme deri në vërshëllimën finale që dekretoi barazimin 2-2 që në një farë mënyrë rihap kampionatin, pasi Atletiko Madrid nesër do të ketë shansin të shkurtojë diferencën në 3 pikë me kryesuesit nëse fiton ndaj Betis.