Piatek s’di të ndalet, por Zaniolo i mohon fitoren Milanit

3 Shkurt 2019, 22:50Sport TEMA

Roma dhe Milani u ndanë në barazim 1-1 në supersfidën e javës së 22-të të Serisë A të zhvilluar në “Olimpico”, duke e bërë më pak të dhimbshme humbjen e Interit ndaj Bolognas. As verdhekuqtë e as kuqezinjtë nuk arritën të përfitonin në maksimum nga ndalesa e zikaltërve, që mbetën të distancuar respektivisht 4 pikë ndaj ekipit të Gattusos dhe 5 ndaj verdhekuqve.

Gigi Donnarumma me pritjet e tij, sidomos ndaj Edin Dzekos (71’) dhe Schick rezultoi vendimtar për këtë pikë të fituar nga Milani, që në fakt kaloi në epërsi me goditjen e madhe të merkatos së janarit, Piatek, që në minutën e 26-të.

Talenti vendas Zaniolo, i gjendur në vendin dhe kohën e duhur, përfitoi nga topi i kthyer nga Donnarumma, që shmangu fillimisht një autogol, për të barazuar shifrat sapo nisi pjesa e dytë.

Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të verdhekuqve rezultati nuk ndryshoi më. Interesant fakti që Piatek ka arritur të shënojë sa herë ka luajtur në “Olimpico” në këtë sezon (3 nga 7 golat në transfertë i ka realizuar në impiantin kryeqytetas), ndërsa Zaniolo bëhet futbollisti më i ri në historinë e Romës që ka shënuar 3 gola në Serinë A.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje