Nga Skënder Minxhozi
Askush nuk di ende thuajse asgjë për projektin konkret mbi të cilin po zhvillohen bisedimet Thaçi-Vuçiç, për “korrigjimin kufitar”, siç i pëlqen ta quajë, Presidentit të Kosovës. Nuk dihet as të ketë ndonjë ekip, apo ekipe, kjo negociatë sekrete, megjithëse për nga rëndësia dhe impakti në të ardhmen e të gjithëve (me të gjithë duhen kuptuar jo vetëm ballkanasit dhe jo vetëm europianët), rreth këtij projekti duhet punuar gjatë dhe në ekip. Dihet që për këtë nismë ka një larushi humoresh, qëndrimesh dhe pozicionesh, por nuk dihet thuajse asnjë element konkret, përveç tre komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe një entiteti të paqartë territorial në luginën e Preshevës, që qenkan vënë “për shitje”.
Shqiptarët këtej dhe andej kufirit janë lënë në errësirë, për atë që është operacioni më i madh diplomatik në historinë panshqiptare, pas luftës së vitit 1999 që çliroi Kosovën. Dhe për dreq jemi në errësirë pikërisht në momentin kur duhej të kishte dritë ngado. Paradoksalisht sot kemi ithtarë dhe kundërshtarë të marrëveshjes, por nuk kemi ende….marrëveshjen. Ndërkohë, krerët politikë kanë luksin të përqeshin, me gotë vere në dorë, këtë pazar opinionesh e humoresh “qorre”, të cilin në fakt e kanë krijuar vetë.
Të lëvizësh kufinjtë shtetërorë në Europë, zakonisht duhet të bësh një luftë. Dhe lufta është një realitet i pranueshëm sepse, pasi të ketë mbaruar, luftën mund ta anatemojnë të gjithë. Pasi të kenë përfituar thuajse të gjithë prej saj. Rëndom kufinjtë janë ndryshuar me zjarr, e jo me shtrëngime duarsh. Në paqe këto lloj nismash shihen si pastrime etnike të bardha, të cilat mbartin me vete rrezikun e skajshëm të precedentit dhe të “kopjimit” edhe nga të tjerë. Precedentin kosovar e gjejmë të krahasuar në vite edhe me Timorin Lindor, edhe me Krimenë, paçka se rusët që e përdorën, janë kundër pavarësisë së Kosovës. Kosova sot tremb jo vetëm kroatët e boshnjakët, por edhe spanjollët që as e dinë ku bie Ballkani!
Që t’i kthehemi ndryshimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, ai po vjen si një demarsh i lobuar nga një pjesë e fuqive me peshë, që mesa duket duan të hedhin zaret në këtë cep të rajonit tonë, për të parë nëse ky hap aventuresk mund të shërbejë më tutje si një model për t’u ndjekur. Megjithatë, kjo rrethanë që shtyn fuqishëm drejt arritjes së një kompromisi, nuk mund të shërbejë si i vetmi çelës magjik për të rrëzuar barrierat e krijuara nga shekujt.
Kosovës i duhet një proces sa më transparent dhe sa më i dakordësuar së brendshmi i dialogut me Serbinë. Me shampanjën e Donald Trumpin mund të arrihet shumëçka në botën e sotme. Po t’i shtojmë edhe vodkën ruse gostisë, rezultati ka gjasa të jetë edhe më i hatashëm. Por përmasat dhe pesha e asaj që po diskutohet nën tavolinë për të gjithë popullin kosovar e të gjithë shqiptarët, është e tillë që kurrsesi nuk mund të anashkalohet vullneti dhe konsensusi i gjerë kolektiv i Kosovës. Dialogu serbo-kosovar nuk mund të jetë pëshpëritje dhe as thikë pas perdeve. Banori i sotëm i Kosovës duhet ta njohë se çfarë po bëjnë udhëheqësit e tij me vendin ku jeton.
Mënyra sempliste e thellësisht naive sesi po minimizohet kompromisi mes dy vendeve, në një shkëmbim banal komunash e gardhiqesh, të le një shije të hidhur në gojë dhe dyshim të thellë në mendje. Çfarë do të ndodhë me Mitrovicën, Trepçen, Ujmanin, enklavat serbe në jug të Kosovës, objektet ortodokse të kultit dhe Asociacionin e komunave? Thaçi thotë se këto nuk janë problem dhe se nuk do të çedojë asnjë centimetër territor kosovar. A është me vend t’i kujtohet se në këtë mënyrë, ai dhe ne të tjerët po flasim para pasqyrës dhe jo para Aleksandër Vuçiçit?! A është e mundur që vetëm me presion ndërkombëtar, palët të binden për të çeduar në pozicione të tilla strategjikisht delikate, siç është njohja e Kosovës? E cila veç Beogradit, ka si pengesë pesë vende anëtare të BE, plus Rusinë që mban postin e anëtarit të përhershëm të Këshillit të Sigurimit?!
Dialogu serbo-kosovar po hyn ngadalë në një fazë vendimtare, pa i hequr thuajse asnjë petë lakrorit që po gatuhet. Ndërkaq, të gjithë ata që i mban shpresa se një proces i tillë me trajta të qarta aventureske e të rrezikshme, mund të dështojë, ju duhet të besojnë se klasa politike kosovare dhe e gjithë shoqëria kosovare do të tregojnë maturinë dhe kthjelltësinë për të dalluar aspektin racional dhe perspektiv të një ndërmarrjeje të tillë, nga turravrapi i pamatur i lidershipit të etur për lavdi personale. Taksa kryeneçe e Ramush Haradinajt ndaj Serbisë dhe një pjesë jo e vogël e qëndrimeve që bëjnë thirrje për gjakftohtësi e vetëpërmbajtje, tregojnë se shampanja e korrigjimit kufitar duhet të rrijë ende në akull.
Pa i hequr petet lakrorit, te gjuthe po futin hundet e duart ne lakror.
Lerenite zotin e lakrorit te zbuloje petet pastaj futni hundet ju te tjeret .
Jam dakord me Minxhozin….Natyrisht dikush mund te mendoje qe perderisa na cliroi SHBA dhe NATO.. duhet te bindemi…Po,por se pari ne na ndihmoi SHBA dhe NATO..e Klintonit dhe Blair ,qe kishte nje koncept komplet tjeter per shqiptaret,si populli me i vjeter ,bashke me greket ne Ballkan….dhe se dyti,edhe pa nderhyrjen e NATOS…Kosova do te clirohej sepse eshte e pamundu qe ne zemer te Europes te mbash nje popull te roberuar,natyrisht me sakrifdica me te medha.Ne nuk duhet te bjeme ne gracke.Sepse politika e Trump ndaj Europes ka ndryshuar,nderkohe qe e sotmja dhe e ardhmja jone eshte Europa.Pra Europa ,e cila per nga fuqia ekonomike eshte e para ne bote ,me mbi 600 milionet e saj ,e cila me nje politike me te guximshme mund te vbihet perballe te gjitheve.Ne se Trump synon te evitoje nje aleance ruso ..kineze ,e rrezikeshme per rolin amerikan ne bote ,kjo nuk do te thote qe ne te pranojme kompromise ne kurriz te shqiptareve .Sepse nje gabim i yni paguhet ne pafundesi ,nderkohe qe Trump,e shumta pas disa vitesh do te jete nje njeri i zakoneshem .Palestina eshte ne kondita te tmerreshme dhe nuk pranon kompromis ne dem te saj ,akoma pas 70 viteve.Perse ne duhet te pranojme ,qe tu japim mundesi serbeve te hane me kater duar ,nga BE ,ruset ,kinezet,turqit ,nderkohe qe kosovaret nuk kane te drejte te dalin as ngfa kufiri…Te kuptohemi ,argumenti im nuk lidhe me ato te anarkotribalistit Berisha dhe bandes se tij filoserbe.Nje marreveshje e pranueshme me serbet do te ishte vetem mbi bazen e konditave te barabarta .Sepse eshte e cuditeshme qe per 30 440 mije serbe ne Kosove behet nje zhurme e madhe kur per dhjetra milione banore te kombesive te ndryshme qe nuk jetojne me shtetet meme ne Europe ,askush nuk thote nje fjale …