Shtëpi, shampanjë dhe shamatë

5 Shkurt 2019, 09:01Blog TEMA

Meqë në viset tona shqiptare s’po hapen fabrika, së paku të gëzohemi që po ndërtohen shtëpi (politikanësh). Me para të kujt po ndërtohen? Mos u bëni smirëzi. Pyetje të tilla nuk shtrohen në parajsën shqiptare.

Nga Enver Robelli

Qenka bërë me shtëpi edhe presidenti i Kosovës. Është mirë që viti fillon me këtë lajm të gëzueshëm – për popullin dhe për presidentin. Kur presidenti është i lumtur, edhe popullit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të gëzohet, të duartrokit, të shastiset nga ky sihariq, nga kjo myzhde e madhe. Me para të kujt është ndërtuar kjo shtëpi? Si është financuar? A ka ndonjë dokument për transparencën financiare të ndërtimit të kësaj ngrehine? Mos u bëni smirëzi. Pyetje të tilla në parajsën shqiptare nuk shtrohen. Shtëpi, shampanjë dhe shamatë. Kjo është motoja me të cilën po e nisim vitin 2019.

Ndoshta është sall një vegim, një përhitje. Ndoshta shtëpia e presidentit as që ekziston. Ndoshta «Zonja e Parë» sot nuk është parë në oborrin e shtëpisë në periferi të Prishtinës, mund të ketë qenë ndonjë dytëshore, një kipce, që i mashtroi gazetarët për të përgatitur një kronikë të cilën presidenti do ta diskualifikojë me fjalët epokale: «Shpifje, shpifje, shpifje» ose «rrenë, rrenë, rrenë».

Shtëpi, shampanjë dhe shamatë. U bënë 20 vjet qëkur mediat e Kosovës raportojnë për shtëpitë gjigante të politikanëve, veturat e tyre të shtrenjta, pushtimet e tyre që nuk dihet kush ua paguan (nga St. Moritzi i Zvicrës deri te Baden-Baden të Gjermanisë), udhëtimet private të maskuara si zyrtare.

I pastrehë nuk është as kryeministri i Kosovës. Me vite të tëra një shtëpi e tij në Dragodan qëndronte si objekt jashtëtokësor mbi Prishtinë. Ndërkohë e ka dhënë me qira. Mjekë turq janë futur aty dhe shërojnë miletin shqiptar në Republikën postosmane të Kosovës. Tash kryeministri adresën e re e ka në një lagje në periferi të Prishtinës, atje ku ajri është më i mirë. Transparencë financiare mos kërkoni as në këtë rast. Çlirimtarëve nuk u kërkohet llogari për asgjë. Kurrë.

Por, llogari nuk duhet t’i kërkohet as politikanëve të Tiranës për vilat e tyre të mëdha. Kryeministri i Shqipërisë ka ndërtuar diku në periferi të Tiranës një vilë – hajde të themi – futuriste. Një bunker modern. Kjo nuk është fare problem, sepse shijet arkitektonike janë të ndryshme. Problem është kur politikanët sapo të marrin pushtetin gjënë e parë që ndërtojnë janë shtëpitë e tyre.

Por, vërtet nuk duhet të bëhemi smirëzi. Meqë në viset tona shqiptare s’po hapen fabrika, së paku të gëzohemi që po ndërtohen shtëpi (politikanësh). Mijëra shqiptarë ndërkohë kanë gjetur strehë e shtëpi në botën perëndimore – si refugjatë ekonomikë.

Në kulmin e krizës së refugjatëve nga Siria, në verën e vitit 2015, vendin e dytë të azilkërkuesve në Gjermani e zinin – shqiptarët nga Shqipëria. Më parë mbi 100 mijë shqiptarë ikën në Gjermani – të shtyrë nga trafikantët e njerëzve në Kosovë e Serbi. Dikush u pasurua nga ky eksod. E dikush ndërton shtëpi. Vend i lumtur. Shoqëri të lumtura. Një komb i lumtur. Jemi një!

2 komente në “Shtëpi, shampanjë dhe shamatë”

  1. Kozmos says:

    HA HA HA , HISTORIKISHT POLITIKANET TANE JANE PASURUAR ME KORRUPSION , OSE ME MIRE KANE GRABITUR SHTETIN ,POPULLIN , POLITIKANET TANE MBASI MAJMEN MIRE , JANE GATI TE SHESIN ATDHEUN PER KARRIGEN E TYRE . SHQIPETARET KANE MUDIS SHUME VETIVE NEGATIVE QE KANE . DY ME TE URRYERAT JANE , HAJDUTE DHE TRADHETARE.
    SERBIA NE KOSOVE, KISHTE DHE KA SHUME SPIUN QE PUNOJNE AKOMA PER SERBI . NDERSA POLITIKANET E SHQIPERISE ,JAN GAT TI FUTEN RUSISE NE PREHR , VETEM QE MOS TE RREZIKOHEN NGA HAJDUTELLEKU I MADH I TYRE . ESAD TOPTANI NUK ISHTE I VETEM , SOT NGA TE DYJA ANET E SHQIPERISE, JANE SHTUAR SHUME TOPTANET .

  2. TARASI says:

    I DREJTI
    PO pse nuk i permend edhe vilat ne Tirane ,bregdet ne jug dhe ne veri,ne Golem e ne gjirin e Lalezit(qe meriton te quhet gjiri i kuvave pushtetare) , katet e tera te pallateve te Saliut Lulit dhe Like flororit apo se Ata ta japin ndonje kocke qe ta lepish more Enver apo ke frike se perfundon ne “gjueti “si Trebicka .Te lutem na trego kush e verteta apo te dyja se bashku.MEDIA KAZAN. Shprehja me e goditur e 100viteve te fundit, qe po shkateron kete vend me shume se zullumet e politikaneve ne te dy anet ee kufirit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje