Nga Kristo Mërtiri
Kur filloi të botohej si novelë në revistën e mirënjohur “Hosteni”(meritë e guximtarit të mencur e “optimist i përjetshëm”, kryeredaktorit historik, Niko Nikolla), unë po kryeja shërbimin ushtarak të detyruar e të rrëmbyer dhunshëm nga Shkolla Pedagogjike “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Atje ku pas një viti e ca duhej të diplomohesha e të merrte flatra ëndrra ime rinore, Mësuesia ! Sot e kësaj dite nuk e mësova dot se kush dhe përse e gatuan atë ligësirë të pashoqe vetëm për mua dhe Xhafo Shehun nga Buzi i Tepelenës.
Në një kohë kur thuhej me të madhe se kishte aq shumë nevojë për “komisarë të Dritës së Diturisë”! Në një kohë kur mjaft djelmoshave nëpër kooperativa e fshatra, paradoksalisht u shtyhej disa herë afati për të mbaruar atë “detyrë mbi detyrat”(?). Pas vrasjes tinëzare të asaj ëndrre jo dosido e përmes zymtësirës shpirtërore e mendore të moshës, befas nisi udhëtimin natyrshëm e si një shaka e madhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.
Shumicën e fletorkave, Dritëroi ynë i kishte mbushur në plazhin e Shëngjinit. Përvec ditës së shtunë(kur dilte ajo faqja e dashur letrare në gazetën “Zëri i Rinisë”, si ngjarje vërtet e shënuar për talentet e reja e jo vetëm),tashmë do të shtohej dhe kjo Revistë e vecantë plot humor e satirë therëse për shtetarë e qytetarë. Pra, bashkë me një tjetër “thyerje disipline” për të arritur në kohë te libraria e lagjes së Kombinatit Tekstil në Tiranë. Sepse cdo vonesë mund të të kthente duarbosh në repart. Falë komandant Kujtimit(Halili), oficer e poet i ri me rrënjë pranë vendlindjes time, që bënte sikur kish një sy qorr e një vesh shurdh, e realizonim në kohë atë objektiv të përhershëm leximi e kuvendimi.
E pse jo edhe një oaz përtëritjeje, humori e optimizmi real.
I kujtova dje te Brryli këto detaje të paharruara, kur po debatonim për fasadat dhe fasadistët e kohës së sotme. Dhe këmbëngula t’i vija kapak muhabetit me dy miq të lexuar nga Përmeti, duke rrëfyer dicka nga dialogu i Zylos me Demkën. Dhe sidomos aforizmat, eskizat dhe 17 esetë e tij origjinale pas një meditimi në lëndinë, ku fare pranë kullotnin pela me mëzin. Nuk bënte më referate e diskutime të shkruara zyrtare. Prandaj po përkushtohej te aforizmat e esetë “për të larguar mendjen nga andrallat”. Në vetmi, pa Demkën. “Dhe unë u largova për të mos ia ndrydhur mendimet”. Kur u kthye pas pak orësh, e gjeti të shtrirë barkas. Kur Zylo filloi leximin me zë të lartë, mëzi po hidhej në tërfil : “-Ese nr. 10. Formalist : Kokërr arre pa thelb brenda !…
Qeshëm të gjithë, por jo si gurgullimat e vërsnikëve të mi ushtarë, kur Revista kalonte dorë më dorë. Së pari, pamjet e jashtme të fasadistëve nëpër ekrane e faqe gazetash, të ardhur nga istikamet partiake e shtetërore, shpesh na gënjejnë duke fshehur dicka të keqe me ngjyra të ndezura kallpazane për publikun. Ashtu si vezullimet verbuese e tunduese të fushatave elektorale me skenarë, regjisorë e aktorë politikë të sprovuar në premtime e mashtrime. Sa shumë ka parë e dëgjuar ky Tranzicion i pafund rrumpalle për gati 30 vite me radhë ! Flet varfëria e mjerimi migjenian i mijëra individëve e familjeve në male e kodra, në fushat djerrë e pa pikë ujë nga kanalet e rezervuarët e djeshëm “komunistë”, por edhe në trotuaret e periferitë qytetëse.
Politikanët u bien tamburave të majta e të djathta, bashkë me kalemxhinjtë militantosahanlëpirës dhe bëjnë sikur u këputet shpirti për hallexhinjtë. Mjafton të rrëmbejnë vota me baule e daulle dhe të ulin prapanicat nëpër kolltuqet legjislative e ekzekutive, të shtojnë pasuritë pa djersë e mundime. Ndërsa elektoratin e ngopin me lugë bosh ! Premtimet thahen e bëhen trokë nëpër sheshet e sallat që oshëtijnë ende nga thirrjet e urratë marramendëse. Solidariteti po bëhet gjithnjë e më tepër pronë e fukarenjve, duke na trokitur përditë ajo urtësia e mocme : Barkngopuri nuk pyet për barkboshin ! Këtë tablo drithëruese e pamë edhe te familja e Adem Mustës, në Velcan të Beratit, të ajo strehëz-kasolle e rrënuar(20 metra katrorë) ku pikonte ditë e natë mjerimi e dëshpërimi. Kishin zbritur nga Sinja malore, fshati më i largët i krahinës së Shpiragut, gati krejt i braktisur në kohët “moderne”! (Ky informacion i hidhur, mua më dhembi jo pak.
Mbi 40 vjetë më parë, si student në degën Gazetari, kam shkuar me shërbim nga “Zëri i Popullit” për një reportazh në atë trevë me një mal histori. Kam ecur me këmbë e makinë, jam ulur në disa fshatra e vatra të ngrohta, që nga Mbreshtani ku dëgjohet ende zëri i Heroit kokëplotë Qemal Stafa në internim dhe gjer në Mbolan e Sinjë . Kujtoj me dashuri mjaft të gjallë e të vdekur…). Personalisht, braktisjen masive të fshatit e vlerësoj si një plagë të madhe kombëtare që do kullojë gjatë. Sot, nesër e pasnesër. “ Po pres të rritet cuni, e të marrë udhën e kurbetit”. A e dëgjuat ? Kaq tha publikisht Ademi i dëshpëruar. Ndërsa nëna e sëmurë Festime, ka vite që nuk i qeshte buza e as festonte dot asgjë. “Shpirtin e fëmijëve po e mban gjallë njerëzia, shoqëria e miqësia në fshat dhe sidomos komshinjtë…”. Ndihma e shtetit “social” me 30 mijë lekë të vjetra në muaj për familjen me 4 persona, nuk mjafton as për bukën thatë ! Nga t’ia mbajë fatziu njeri ?…
Një qiri i patretur shprese u është bërë 15 vjecari Zbukurim, që mbase një ditë ua zbukuron sadopak këtë “jetë qeni”(jo nga ata që mbajnë zonjëzat edhe në dhomën e gjumit). Këtë nxënës të mbarë e duan shumë në shkollë e jashtë saj. Sepse historikisht, te shqiptarët e vërtetë uria për Arsim ka mundur e mposhtur jo rrallë urinë e stomakut. Në një kohë kur fëmijët e politikanëve të kamur hyjnë e dalin nëpër universitetet europiane e perëndimore, nëpër fuoristrada qejfi e epshi të shtrenjta, në vilat e shtëpitë luksoze me shërbëtorë në pastrim, gatim, kopshtari e rojtari etj. Dhe këta fasadistë mjeshtra na shesin moral me okë ! Por nxënësit e shkollës “Jani Dodi” e të tjerë në rreth, i dhanë një shuplakë Varfërisë, por edhe Polit(h)ikës së madhe hipokrite në metropol: Moshatarët e Zbukurimit të urtë e plot mirësi dhe ata të motrës së vogël Armela, përkrah mësuesve dhe drejtorisë përkatëse në rreth, arritën të sensibilizonin e të ndihmonin për ngritjen e një shtëpie modeste të re ! Gëzimi e buzëqeshja sikur u kthyen pakëz nga shpellat e skamjes vrastare. Një shembull i rrallë nga jeta shqiptare në periferi, pa bujë e tepër adhuruese. Por edhe demaskuese për cdo pushtetar a opozitar fasadist…
Së dyti, mizërisë me Demka rreth Njëshave, u ngjiten e nuk u shqiten si urithë edhe ca tipa e prototipa që sot sfiliten për të dhënë ndonjë “thelë” dhe nesër kërkojnë të rrëmbejnë një pelë ! Favore të ligjshme e të paligjshme, me rrjeta nepotizmi e militantizmi ulërak sigurojnë vende pune të pamerituara hic profesionalisht e moralisht; me nder tendera korruptivë ku burojnë miliona të thata e të njoma; poste të larta me grada madhore në Administratën Shtetërore a në institucionet e pagëzuara “të pavarura”; në Kabinete Presidenciale; Kryeministrore; Parlamentare e ministrore; në Borde që në mos rrjedhshin, do pikojnë me siguri të ardhura shtesë; në Komisione e Këshilla Drejtuese etj. Janë nga ajo racë që “të thyejnë arrën në dorë”. Populli e ka fjalën edhe pë rata që kusarojnë shumë e me marifet të qërojnë deri të bardhët e syrit…
Në pamje të jashtme shembëllejnë me qengja pirës e lëpirës, por sapo privatizojnë kolltuqet mbyllin sytë, celularët e formularët. Njerëzit e thjeshtë e të ndershëm mbeten si jetimë pa zot. Dalngadalë fasadat propagandistike kthehen në shurdhëri e shëmtirë, në zhgënjim e këllirë përballë elektoratit të rrudhosur e të inatosur. Edhe shifrat taze për ato mbi 30 mijë ankesa vetëm në selinë kryeministrore ose për 300 zyrtarë të shkarkuar(zero informacion pë rata që i “përzgjodhën”,ngarkuan-dhuruan nëpër bedenat e kala-piramidës shtetërore!), janë një lloj fasade e vjetëruar, që shoku Zylo mbase do bëhej nostalgjik e aspak hermetik. Se fasadistët e pjekur e të papjekur zakonisht nguten e rrëmbehen, hutohen e shullëhen në faqe reklamash xixëlluese e trumbetuese.
Shkurt, janë nga ata delirantë që nuk shkundin vetëm manin në prill, por edhe arrën në korrik ! Së fundi, qeverisjet e majta e të djathta nuk po na thonë ende se c’farë mrekullirash kanë bërë gjatë 3 dekadave pluraliste p.sh. për pensionistët e rrëgjuar civilë e ushtarakë; për qindra fëmijët jetimë dhe njerëzit e vetmuar e pa asnjë përkrahje; për të sëmurët e sfilitur që duken si të vdekur e të pakallur, pa ilace; për rininë që nuk po e ndal vrapin drejt dherave të huaj etj. etj. Dhe hajdutëria e Polit(h)ikës vazhdon. Se këta të paudhë, sic shfrynte Noli i madh, “të vjedhin kur ke, e të tallin kur zgjat dorën”!
Mirëpo “shtresat e paprivilegjuara” i thërrasin kallinj pa bukë, kokëboshë ose arra fyckë. Por Drejtësia u bie në gjunjë ?! Harrojnë se një ditë do të kthehen më këmbë e nuk do rrinë tërë jetën në majë të kalit. Pa reklama e piskama të llojit “Kemi qëlluar në shenjë korrupsionin”. Të mencurit e mocëm në nahijen time e kanë dhënë herët përgjigjen:-Koburja bosh nuk tremb më shumë se dy veta ! Pa harruar Esenë nr.10 të Zylos famoz për fjalët e punët pa vlerë të fasadistëve e formalistëve : Kokrra arre pa thelb brenda…
Nje shkrim mjaft i goditur. Fasada eshte karakteristike per qeverine qe ka tepsine. Mbuloje po deshe varferine me shoshe e korrupsionin ne administrate. Te lumte Tema.
Te paca penen o miku yne Kristo. Zylot e sotem jane ustallare te tenderave te barrosura me evro. E qysh do mendojne e do “cfiliten” ata per fukarenjte. Mos e dhente perendia. nuk i gjen gje keto fytyra te ndyra qe nuk lane gje pa vjedh e qe ngrejne njeri jatrin ne shtet e sua gjen dot fillin. Ata qe hiqen si qingja nuk te hedhin syte. Lere cbejne per fasade. Vine zgjedhjet ata behen ure, por fajtor jemi vet
Shkrim dinjitoz.
Kokrra arre pa thelb brenda,
Evro, dollare, mbushur dinga
Shqiperia jone me nur
Te kane bere kocke e lekure
Qente qe nuk ngopen kurre.
Duarkryq njerez mos rrini
Qente kanaleve i hidhni.