VIDEO: Basha e ktheu në zyra, Bashkia e Tiranës nis punën për rikthimin e shkollës së re te Medreseja

9 Shkurt 2019, 10:54Sociale TEMA

Disa vite më parë, administrata e shkuar e Bashkisë Tiranë shkollën në afërsi të medresesë e ktheu në zyra për UKT-në, ndërkohë që fëmijët e kësaj lagje u endën për vite me radhë në shkolla të ndryshme të lagjeve të tjera.

Me vendim të Këshillit Bashkiak të muajit shtator, Bashkia e Tiranës vendosi që ti kthejë lagjes shkollën, ndërsa zyrat e UKT-së ti transferojë në një godinë tjetër.

E duket se tashmë çdo gjë është gati dhe Bashkia e Tiranës ka nisur punën në terren për ndërtimin e një shkolle krejtësisht të re e cila natyrisht do jetë më e madhe se e para dhe me kushte komode e gjithë infrastrukturën moderne.

Për këtë IMT dhe ndërmarrjet bashkiake kanë nisur edhe prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje rrethe qark për të krijuar sheshin e ndërtimit të shkollës së re. Pamjet e mëposhtme janë marrë pikërisht nga ky aksion.

Për këtë shkollë kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar më parë se Bashkia e drejtuar nga Lulzim Basha dhe Jorida Tabaku, të dy banorë të kësaj njësie, i kishte ndryshuar destinacionin, duke e kthyer në zyra për ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve.

“Njësia 8 i ka dhënë mandatin e kaluar edhe për kryetar, edhe për nënkryetar të Bashkisë, Lulit dhe Joridës. Por, prona te Medreseja, ku sot ka zyrat UKT-ja, në fakt në versionin e vet origjinal ka qenë shkollë. Saliu, ngaqë i falimentoi të gjitha kompanitë, filloi t’i degdiste nëpër bashki dhe Bashkia i çoi zyrat e UKT-së në një shkollë, te Medreseja për njësinë 8. Ne sot duam të marrim vendimin për ta çuar UKT-në te inkubatori i biznesit dhe të lirojmë një shkollë për Njësinë 8”, deklaroi Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të shtatorit të shkuar në lidhje me vendimin për rikthimin e këtij ambienti në shkollë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje