Kompania koreane “Yura Corporation” hyn në tregun shqiptar: Investim 6.5 mln euro, gati të prodhojë pajisje kabllore për automjete

13 Shkurt 2019, 15:57Ekonomia TEMA

Kompania koreane “Yura Corporation” një  ndër kompanitë lider në botë për prodhimin e elementeve elektrike të automjeteve, pas një viti negociatash më në fund do të hyjë në tregun shqiptar. 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, do të nënshkruajë një Kontratë Enfiteoze (për përdorim dhe zhvillim të zonës me përparësi zhvillimin), me kompaninë koreano-jugore “Yura Corporation”.

Më herët, në një intervistë për Monitor Përfaqësuesi i saj për Shqipërinë, Lucas Nam pohoi se kompania ka aplikuar për të përfituar nga kontrata 1 euro dhe parashikon të investojë 6.5 milionë euro duke punësuar 516 persona.

Yura Corporation Albania u themelua në maj 2018, si një nga kompanitë europiane të vendosura në këtë sektor nga kompania mëmë. “Ne presim që të hapim një fabrikë në Fier lidhur me prodhimin e pajisjeve kabllore”, ka pohuar ai.

Si avantazh për Shqipërinë ai ka përmendur faktin që vendi aktualisht ka kosto të ulët dhe stabilitet në përmirësim në përgjithësi. Edhe kjo mund të jetë një zgjidhje për zhvillimin e logjistikës dhe një zinxhir ditor furnizimi për biznesin automotiv europian.

Yura Corporation është prodhues i pajisjeve kabllore dhe produkteve të tjera të ngjashme për makinat. Prej të paktën gjysmë shekulli fokusi i aktivitetit është ky, por edhe mbështetja teknologjike dhe ekspertiza në makinat e gjelbra dhe të ardhmen e tyre.

Yura Corporation Albania u themelua në maj 2018, si një nga kompanitë europiane të vendosura në këtë sektor nga kompania mëmë. Kompanisë iu ofrua një terren në Fier, por procedurat u zvarritën, duke bërë që drejtuesit e kompanisë të shikonin edhe mundësinë e tërheqjes. Por, për fat të mirë, tashmë kontrata po nënhkruhet.

Interesi për industrinë mbështetëse të automjeteve

Edhe për Shqipërinë po shfaqen në horizont disa mundësi për zhvillimin e kësaj industrie automotive për procese elementare. Në kushtet kur sot janë dy kompani, të cilat kanë gjeneruar punësim të dukshëm dhe kanë plane zhvillimi, si PSZ Albania dhe Forschner Albania, të dyja gjermane, në treg është shfaqur interes edhe nga kompani të tjera.

Në vitin 2015 ka filluar aktivitetin një tjetër kompani që prodhon sisteme kabllore për automjetet, Forschner, me zyra qendrore në Gjermani.

Forschner ka aktualisht një fabrikë në Vaqarrit, dhe prej disa kohësh po shikon mundësinë e zgjerimit me një tjetër fabrikë në zonën e Spitallës.(monitor)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje