Linja ajrore “Ethiopian Airlines” njoftoi të hënën përmes Twitterit se janë gjetur dy kutitë e zeza të avionit që u rrëzua dje.
Ekipe hetuesish dhe të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar vazhduan sot kërkimet për pjesë të avionit Boeing 737 MAX dhe sende personale të pasagjerëve.
Avioni i kompanisë Ethiopian Airlines ishte nisur nga aeroporti Addis Ababa drejt kryeqyetit të Kenias, Nairobi, ku u rrëzua vetëm disa minuta pas ngritjes.
Në avionin me numër fluturimi ET302 ndodheshin 149 pasagjerë nga 35 vende të ndryshme të botës dhe 8 anëtarë ekuipazhi.
Një banor nga fshati Bishoftu, pranë aeroportit të Addis Ababës tha se kishte dëgjuar një zhurmë të madhe në momentin kur u rrëzua avioni dhe se fshatarët kishin shkuar me vrap tek vendi, që ai tha se ishte mbuluar në tym dhe avioni nuk dukej.
Ethiopia po mban të hënën një ditë zie kombëtare për viktimat e tragjedisë së avionit.