Kina: BE të shohë mundësitë që sjellin marrëdhëniet tregtare

13 Mars 2019, 15:37Bota TEMA

Kina do të donte që Bashkimi Europian të shihte mundësitë që ofrohen nga zhvillimi dhe hapja e vendit, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës, pasi BE diskutoi mbi një strategji të re për t’ju afruar ndikimit në rritje të Pekinit.

Zyrtarë në Bruksel diskutuan nevojën për një qasje më realiste dhe të sigurt kundrejt Kinës duke marrë në konsideratë statusin e saj si një superfuqi botërore.

”Europa është e shqetësuar pasi balanca e sfidave dhe mundësive që vijnë nga Kina ka ndryshuar”, shkroi në rekomandimin ndaj shteteve anëtare Komisioni Europian.

Komisioni diskutoi planin me 10 pika i cili adreson shqetësime si subvencionimi i Kinës për kompanitë shtetërore, transferimet e detyruara teknologjike dhe ndërtimin e një rrjeti 5G.

“Mund t’ju them se Kina dhe BE mbajnë një dialog konstruktiv në të gjitha këto fusha,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lu Kang, duke ju referuar planit me 10 pika të Europës.

Ai tha se Kina e shikon partneritetin me Europën në një perspektivë afatgjatë dhe shpreson që të jetë një marrëdhënie fitimprurëse për të dyja palët.

“Pala kineze shpreson që BE të mund të shohë në mënyrë objektive, të drejtë dhe racionale zhvillimin e Kinës, reformat e reja dhe hapjen si edhe të jetë në gjendje të shohë më shumë mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të Kinës”, tha ai.

Lidhjet midis Europës dhe Kinës janë ndikuar në muajt e fundit nga një luftë e zgjatur tregtare midis Kinës dhe SHBA-së.

SHBA-ja i ka kërkuar partnerëve të saj europianë të mos lejojë gjigantin teknologjik kinez Huawei të ndërtojë një rrjet infrastrukture në Europë, kjo për arsye sigurie.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje