Tabloidi i skandaleve, “National Enquire”, në pronësi të një miku të presidentit Trump, ka paguar 200 mijë dollarë për fotot dhe mesazhet që provonin lidhjen jashtëmartesore të Jeff Bezos me Lauren Sanchez. Lajmin e bën të ditur Wall Street Journal. Revista ia ka paguar këtë shumë pikërisht vëllait të të dashurës së themeluesit të Amazon, Michael Sanchez.
Pas publikimit të fotove, në një postim në blogun e tij, Bezos denoncoi se ishte shantazhuar nga revista “National Enquire”, në pronësi të botuesit David Pecker, i cili njihet si një nga miqtë e vjetër të presidentit Donald Trump.
Jeff Bezos, i cili është aktualisht në krye të listës së njerëzve më të pasur të botës, la të kuptohej se në këtë intrigë ishte përfshirë edhe presidenti, i cili nuk ka qenë asnjëherë miqësor me të.
“National Enquire” e botoi historinë e lidhjes jashtëmartesore të Bezos me Sanchez, pikërisht në ditët kur ai kishte nisur procedurat për divorcin me të shoqen, MacKenzie.
Bezos tha në atë kohë se America Media, të cilës i përket “National Enquire”, i kishte thënë se posedonte materiale të tjera “përvëluese”, mes të cilave edhe foto nudo dhe sms pikante. Sipas Bezos, për të shmangur publikimin e tyre, revista i ka kërkuar të konfirmonte publikisht se nuk kishte prova që botimi i historisë të ishte bërë për qëllime politike.
Bezos ngarkoi një nga njerëzit e tij më të aftë dhe të besuar për të zbuluar sesi ranë në dorë të revistën materialet që më pas u publikuan në 11 faqe të revistës. (TemA TV)