Flet deputeti i Partisë Demokratike të Vlorës që hyri si zëvendësues i Agron Shehajt: Vij me vendim politik të ballistëve
Nga Fernada Cenko
Një prej deputetëve më të rinj të Kuvendit të Shqipërisë është edhe Adriatik Alimadhi. Ai është kryetar i Partisë Balli Kombëtar, ndërsa pranoi mandatin e deputetit, si pjesë e listës së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2017.
Në një intervistë për gazetën TemA, Alimadhi u shpreh se vendimi për të pranuar mandatin ishte shumë i vështirë.
Pyetur edhe për marrëdhëniet me kreun demokrat Lulzim Basha, ai tha se nuk ka asnjë kontakt.
Po ashtu kreu i Ballit Kombëtar, u shpreh se Shqipëria është drejtuar me mendësi dhe veprimtari komuniste dhe se ende jemi larg të djathtës reale në Shqipëri.
Gjithashtu Alimadhi tregoi edhe kauzat që do të ngrejë në parlament, të nisur nga aleatët strategjik, SHBA dhe Bashkimi Europian.
Zoti Alimadhi tashmë ju jeni deputet në parlament! Ishte vendim i vështirë për të pranuar mandatin?
Sigurisht një vendim i vështirë. Ajo që lehtësoi peshën ishte vendimi unanim i kryesisë partisë Balli Kombëtar e cila vendosi ndjekjen e këtij procesi nëpërmjet institucioneve të shtetit, duke parë që marrëveshjet politike nuk kanë funksionuar.
Opozita i ka quajtur “tradhtarë” ata që kanë hyrë në parlament…
Nuk kam parë apo dëgjuar që drejtuesit kryesorë apo zyrtarë të PD të kenë thënë këtë term, përjashto këtu z.Strazmiri dhe Çollaku. Besoj se çdo kush e përdor termin tradhtar, është vetë i pari. Personalisht kam zbatuar vendimin politik të partisë Balli kombëtar, tradhti quhet kur tradhton Atdheun jo kur zbaton një vendim politik. Në fakt sipas atyre që e përdorin shpesh këtë fjalë, PD-ja na ka tradhtuar me dhjetëra herë.
Nga lista e Vlorës keni pranuar mandatin vetëm ju… është një “tradhti” kjo ndaj së djathtës?
Në fakt nuk ka përfunduar ende lista. Pavarësisht se isha në listën e Qarkut Vlore nuk do të thotë se kam bërë tradhti, mesa di unë në qarkun Vlorë kanë votuar vetëm elektorati i djathtë dhe mandati i deputetit i përket Ballisteve të Vlorës dhe Ballit Kombëtar. Kur thoni të djathtë nuk di çfarë keni parasysh, por në këto vite të shkuara, Shqipëria është drejtuar me mendësi dhe veprimtari komuniste, jemi ende larg të djathtës reale në Shqipëri.
Si i keni marrëdhëniet me Bashën dhe PD pas këtij vendimi?
Nuk kam kontakt.
Cila është kauza që ju do ngrini në parlament?
Boshti i orientimit politik ne programin e Ballit Kombëtar është interesi kombëtar. Do t’i shërbejmë dhe do të mbështesim çdo proçes të nisur nga aleatët tanë strategjik, SHBA dhe Bashkimi Europian. Në parlament do të kërkojmë nisma ligjore, ndryshim mbi ligjin komunist të pronës, ndryshim mbi dëmshpërblimin e të pushkatuarve dhe te burgosurve politike, të filloj dëmshpërblimi që në momentin e luftës vëllavrasëse gusht të vitit 1943 e në vazhdim, që janë vrarë 4000-6000 shqiptarë të pafajshëm nga kriminelët komunist. Duhet bërë një ligj i plotë mbi bankat. Ligji mbi gjakmarrjen, ligji mbi vlerësimin e pasurisë së paluajtshme, ligj për t’ju kthyer pasurinë e sekuestruar ish-kulakëve. Një ligj mbi aksizat, taksat.
Emergjente është ndryshimi i kodit zgjedhor dhe për këtë kemi kërkesat tona. Gjykoj që sot ka ardhur koha të mendojmë që shqiptarët duhet t’i japin dorën njëri-tjetrit dhe kjo bëhet mbi ndryshimin e historisë ku të vlerësohen luftërat, personalitetet e Ballit Kombëtar, që të mos jemi më të ndarë. Historia doli nga shtrati kombëtar në kohën e sistemit komunist dhe duhet futur në shtratin e plotë kombëtar. Ne mendojmë se kjo shëndosh moralin kombëtar te shqiptarët.
(TemA Javore)
Ju ballistet jeni me keqe se camet ne vlore per interest tuaja e per nje cik pushtet ju beni mender mune “idealeve”. Kur pastaj gjeni dhe kohe e beni antikomunistin te vijne zorret ne gryke, po ti nga ajo dere vjen nuk behet gjaku uje thote populli. Jua ka bere mire komunist Saliu qe kane tallur leshte me ju 30 vjet.