Një telefonatë anonime, që njoftonte vendosjen e një bombe në parlamentin grek, ka vënë në alarm mëngjesin e kësaj të premteje autoritetet atje.
Sipas asaj që raporton e përditshmja Kathimerini, policia ka mbyllur godinën e parlamentit dhe ka vendosur kordonin e sigurisë përreth saj.
Telefonuesi kontaktoi me zyrat e portalit të lajmeve Zougla.gr dhe deklaroi se brenda dhe jashtë godinës së parlamentit ishin vendosur pajisje eksplozive.
“Do të ketë viktima, bëni kujdes”, raportohet të ketë thënë telefonuesi. Në vendin e ngjarjes ndodhen ekspertët xhenierë.