“Me disa deklarata dashakeqëse, disa segmente të caktuara politike në Shqipëri e reklamojnë sikur Holanda ka rikthyer regjimin e vizave për shqiptarët, për t’i ngacmuar shqiptarët në fobinë e tyre më të madhe, radhët e vizave”, -deklaroi sot zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Romina Kuko.
Në një intervistë për ERTV-në, Kuko komentoi votimin e parlamentit holandez për heqjen e liberalizimit të vizave, duke theksuar se “kjo është një kërkesë populiste dhe se nuk duhet të harrojmë kontekstin e brendshëm se ku ndodhet vendi”. “Ndodhemi përpara zgjedhjeve europiane dhe gjithmonë temat e të huajve, në rastin konkret, shqiptarëve, janë tema atraktive që ndezin interesin e qytetarëve”, – tha ajo.
Zv/ministrja e Brendshme u shpreh se “është për të ardhur keq që është bërë një hap i tillë, gjithsesi kemi reagimin e qeverisë holandeze e cila thotë që nuk ka një çështje të tillë”. “Është një kërkesë që disa deputetë e kanë kaluar në parlamentin holandez. Sot edhe vetë Komisioni Europian u shpreh se nuk ka marrë një kërkesë nga Holanda për rivendosjen e regjimit të vizave, duke thënë se kjo është një procedurë specifike, e cila kërkon kalimin në disa hallka dhe nuk është diçka kaq e thjesht”, – tha Kuko.
Në Shqipëri, sipas saj, “disa segmente të caktuara politike e reklamojnë sikur kjo ka ndodhur, sikur Holanda ka rikthyer regjimin e vizave për shqiptarët”.
“Për mendimin tim, është një deklaratë dashakeqëse për t’i ngacmuar shqiptarët në fobinë e tyre më të madhe, radhët e vizave, dhe kjo nuk duhet të ndodhte as për shaka”, – tha Kuko.
Ndërkohë, Kuko theksoi se argumenti i paraqitur për rritje të kriminalitetit nuk qëndron, pasi “shifrat flasin në mënyrë krejt të kundërt nga sa deklamohet nga deputetët holandezë”.
“Nëse ne kemi 449 shtetas shqiptarë të implikuar në krim, kemi 10 mijë shtetas të një shteti tjetër që nuk po ia përmend emrin, që kanë të njëjtin problem në Holandë, por nuk ka një akuzë ndaj atij shteti, por ndodh ndaj Shqipërisë. Në 2018 kemi 50% ulje të kriminalitetit nga shtetasit shqiptarë, po ashtu kemi ulje drastike të azilkërkimit. Sot edhe dosjet e rëndësishme me Holandën kanë shënuar një sukses”, – tha ajo.
Sa i takon çeljes së negociatave, Kuko tha se “Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kriteret sa i takon pjesës teknike, tani ngelet thjesht një vendim politik, i cili për hir të së vërtetës në qershor duhet të ndodhë”. “Shqipëria e meriton t’i hapen negociatat përtej gjithë kësaj zhurme dhe kakofonie që ndodh ndonjëherë edhe në të kundërt, duke punuar kundër interesit kombëtar”, – tha Kuko.
pse nuk ia permend emrin atij shteti tjeter?
tani ja hedh fajin shqiperise prape pse you plehrat votuat me shumice pro?