Nga Elona Hasko*
Edhe në Shqipëri, gjatë këtyre 25 vjetëve të fundit, fenomeni i zgjidhjes së martesës ose ndarjes së bashkëshortëve, ndryshe divorci, ka njohur një rritje shumë të lartë. Statistikat vjetore flasin për mijëra çifte që zgjidhin martesën.
Referuar INSTAT, numri i divorceve nga 9.2 divorce për çdo 100 martesa në vitin 1990, (megjithë prirjen rënëse në vitet ‘96-’97) ka vijuar të rritet me 9.6 divorce në vitin 2001 dhe është rritur me rreth 1.6%, pra në 15.7 divorce për çdo 100 martesa në vitin 2013 (INSTAT, Martesat dhe divorcet, 1990-2013).
Përveç pasojave sociale, ekonomike për familjet dhe për shoqërinë që shkakton ndarja/divorci, pasoja negative ka sidomos për shëndetin mendor, emocional dhe social të fëmijëve. Ata do të përpiqen të vazhdojnë jetën e tyre duke u përshtatur me « situatën e re », por shumë pyetje do të lindin, sjellje të reja do të shfaqen, do ndjejnë trishtim e zemërim dhe do të duan mbështetje dhe dikë për të folur.
Fëmijët e moshës parashkollore që përjetojnë ndarjen/divorcin e prindërve shfaqin simptoma fizike si, dhimbje trupore dhe dhimbje koke, urinim të shpeshtë në shtrat apo konstipacion më shpesh dhe në një moshë më të rritur sesa është e zakonshme për fëmijët e moshës 3-6 vjeç; ata vuajnë nga asma, ekzema dhe temperaturë e lartë; shfaqin tike fytyre dhe sjellje nervozizmi; shqetësime gjumi dhe shqetësime të të ngrënit.
Sa i përket aspektit social-emocional, fëmijët e moshës parashkollore, që vijnë prej familjeve të ndara/divorcuara, janë më të tërhequr e përfshihen më pak në marrëdhënie shoqërore me bashkëmoshatarët, kanë pak interes për lojërat në grup, refuzojnë ose fillojnë të flasin më vonë se moshatarët e tyre; janë më të shpërqëndruar se fëmijët e tjerë dhe mund të shfaqin shenja depresioni ose sjellje të dhunshme në çerdhe/kopsht.
Të gjitha këto sjellje çojnë në një angazhim më të ulët në programin e edukimit në kopsht, e rrjedhimisht këta fëmijë mund të mos kenë arritjet shkollore të moshatarëve të tyre, të familjeve të bashkuara, në vitet shkollore që do pasojnë.
Në studime të ndryshme të ndërmarra në vite (Hetherington dhe Cox), me fokus tek efektet e divorcit në ndërveprimin shoqëror dhe angazhimin në lojë të fëmijëve të moshës parashkollore që vinin nga familjet e divorcuara, është matur se, llojet e lojërave tek këta fëmijë kanë qënë më pak të pjekura nga aspekti social dhe konjitiv kur këto matje kryheshin menjëherë pas divorcit; fëmijët shfaqnin kufizime dhe ngurtësi në lojërat ku nevojitej fantazia, dhe më pak bashkëpunim në krahasim me fëmijët e familjeve të bashkuara.
Gjithashtu, edhe tek vajzat edhe tek djemtë, në vitin vijues të divorcit të prindërve, janë vënë re sjellje të varura ndihmë-kërkuese dhe sjellje jobindëse.
Studimet kanë treguar gjithashtu se, fëmijët e familjeve të divorcuara ishin më pak të lumtur e më pak të afeksionuar, më shumë ankthiozë, ndjeheshin më fajtorë dhe më pak të përfshirë se sa fëmijët e familjeve të bashkuara. Këto ndjenja, sidomos, ndjenjat armiqësore, trishtimi dhe ankthi vazhdonin të ishin të pranishme tek djemtë, edhe dy vjet pas divorcit të prindërve.
Por a munden fëmijët e moshës parashkollore që vijnë prej familjeve të ndara/divorcuara të ripërtërihen prej dhimbjes dhe të tejkalojnë vështirësitë emocionale që sjell divorci?
Duke iu kthyer studimeve ndërkombëtare, në vitet ‘2000, Wallerstein me koleget e saj vuri re se, edhe 25 vjet pas divorcit të prindërve, fëmijët që morën mbështetje prej shkollës, skuadrave të sportit, prindërve, gjyshërve, partnerëve të prindërve, mësuesve apo kur u motivuan prej vetë fuqive të tyre të brendshme, interesave dhe talenteve të tyre, ia dolën mbanë më mirë sesa ata fëmijë apo të rinj që nuk i patën këto mundësi. Këto rezultate tregojnë se mbështetja e fëmijëve nga institucionet edukative, mësuesit, stafi mbështetës mund të rrisë aftësinë ripërtëritëse të fëmijëve pas divorcit.
Nëse mbahen parasysh pasojat e mësipërme dhe vihen re nga edukatoret/mësueset në institucionet tona arsimore si çerdhe e kopshte, atëherë mund të shtohej vëmendja dhe mbështetja për krijimin e kushteve të përshtatshme, si dhe në drejtim të mbështetjes emocionale për këta fëmijë.
Edukatorët/mësueset duke qënë më vigjilente në dallimin e sjelljeve të sipërpërmendura që shoqërojnë vuajtjen prej divorcit/ndarjes së prindërve mund t’iu japin më shumë vëmendje e t’i angazhojnë sa më shumë në lojë dhe aktivitete këta fëmijë. Një mjedis dashamirës dhe përkujdesës në çerdhe/kopsht do largonte vëmendjen e fëmijëve nga trishtimi, depresioni apo zemërimi duke ofruar kështu një nga mënyrat më të dobishme për t’i ndihmuar këta fëmijë të largojnë stresin e zgjatur që lë pas divorci.
Psikologët dhe punonjësit socialë që punojnë pranë institucioneve parashkollore mund të japin një ndihmë të madhe duke i ndihmuar fëmijët të flasin për vuajtjen apo zemërimin e tyre përmes vizatimeve, lojës dhe të ndihmojnë edukatoret/mësueset të përçojnë në mënyrën e duhur tek këta fëmijë edhe tema të ndjeshme për ta, si familja, ndarja.
Gjithashtu, ata mund të këshillojnë siç duhet prindërit mbi mënyrën se si mund t’iu flasin dhe t’iu përgjigjen fëmijëve mbi familjen tashmë të ndarë, për prindin tjetër që po mungon në shtëpi dhe arsyet e mungesës, se si mund t’ua përçojnë fëmijëve mesazhin se ata (fëmijët) nuk kanë asnjë faj, etj.
*Eksperte në çështje të fëmijërisë