40 vjet më parë, Chuck Surack ndërtoi një studio regjistrimi në autobus. Sot ai drejton një perandori muzike me vlerë 725 milionë dollarë.
Më 1979, 22-vjeçari Chuck Surack sapo kishte krijuar një studio regjistrimi në pjesën e pasme të një autobusi “Volkswagen” dhe udhëtonte nëpër Fort Wayne, Indiana, duke regjistruar banda lokale, kore e këngëtarë.
Surack, kishte qenë 5 vjet në turne duke luajtur saksofon e keyboards pas diplomimit të shkollës së mesme. “E dija nga përvoja me grupin që pagesa e një hapësire për studio ishte shumë e shtrenjtë”, tregon biznesmeni.
Ai e pajisi studion e tij të lëvizshme me një regjistrues kasetash që mund të regjistronte nga katër mikrofona njëkohësisht dhe miksimin e audios e bënte në regjistrimin final.
“Shkoja në shkolla, kisha dhe klube dhe u vija mikrofonin grupeve a koreve, pastaj ulesha në autobus me 60 metra kabëll përqark dhe me kufjet në vesh regjistroja”, tregon ai. Regjistrimet i kthente në albume dhe kaseta për klientët me një çmim më të ulët se tregu.
Ky autobus “Volkswagen” u bë pikënisje e kompanisë së Surack-ut, “Sweetwater Sound”. Sot, “Sweetwater Sound” është një nga bizneset më të mëdha online për instrumente muzikore dhe pajisjet audio në ShBA.
“Ne shesim gjithçka që përdoret për të krijuar dhe regjistruar muzikë”, thotë shefi operativ i kompanisë së tij John Hopkins. Sipas tij, kompania transporton çdo javë 3.300 kitara, 37.000 tela kitare, 830 tastiera, 460 pjesë daullesh dhe 5.300 mikrofonë.
Surack e ka zgjeruar biznesin e tij përtej muzikës. Ai zotëron edhe shumë biznese të tjera në Fort Wayne, si: “SweetCars”, “Sweet Aviation”, “Sweet Helicopters” dhe “Longe Optical”, por thelbi i biznesit të tij që sa vjen e rritet, mbetet muzika.
“Nuk kam ëndërruar të kem një biznes të tillë. Nuk më udhëheq etja a dëshira për para, por bërja e asaj që duhet.”, shprehet ai.
Surack thotë se suksesi i tij vjen nga një sintetizues. Më 1984, ai pa në një shfaqje një instrument të quajtur Kurzweil K250: “Sintetizuesi i parë që luante regjistrime digjitale të instrumenteve muzikore dhe kushtonte 20,000 dollarë”. Surack-u bleu një të tillë dhe u bë agjent shitjeje për produktin.
Në vitet 1990, “Sweetwater Sound” evuloi nga studio regjistrimi në tregtues të instrumenteve muzikore dhe pajisjeve të dëgjimit.
“Kompania ndërtoi një website në vitin 1994. “Ishte periudhë e hershme e internetit, ne e përdorëm që t’u mësonim njerëzve rreth instrumenteve tona. Tregtonim rreth 100 marka që në atë kohë”, tregon ai.
Rreth 60% e shitjeve të tanishme bëhen nga website-i i kompanisë, kurse pjesa tjetër nga porositë në kompani.
“Sweetwater Sound” ka punësuar 500 shitës, të cilët ose janë muzikantë, ose kanë përvojë teknike në krijimin e muzikës, si për shembull inxhinieri audio.
Në kompleksin e kompanisë ka disa studio regjistrimi, një teatër 250-vendësh, kafene me ushqim, një spa-salon dhe një klinikë që ofron kujdes mjekësor falas.
Surack, tani 62-vjeç, kujdeset për nëpunësit e tij përtej pagesës, duke i trajtuar me respekt e duke i inkurajuar.
Për 40 vjet, “Sweetwater Sound” ka arritur të ketë 1,700 të punësuar, pa përfshirë të punësuarit e bizneseve të tjera të Surack.
“Nuk kam pushuar asnjë nëpunës të kompanisë në gjithë historinë e saj. Unë dhe ime shoqe kemi 100% të kompanisë. Nëpunësit i kemi si të familjes, festojmë me ta në çdo ngjarje të tyren të shënuar.”
Surack ka të njëjtën qasje edhe ndaj klientëve. Çdo porosi e bërë shoqërohet me një letër falënderimi dhe ëmbëlsira.
Surack beson se niveli i shërbimit ndaj klientit që ofrojnë bën dallimin midis bizneseve të tij dhe Amazon-it e tregtuesve të tjerë të instrumenteve.
“Amazon-i is bën një punë fantastike duke e sjellë porosinë për një ditë, por ai nuk ofron atë çka ne ofrojmë: vëmendje personale ndaj klientëve, përgjigje të pyetjeve të shumta dhe edukimin e duhur për produktet”, shprehet ai.
“Longe Optical” po mbyllej dhe ishte duke i pushuar 40 të punësuarit e tij kur u ble nga Surack në vitin 2012. Tashmë biznesi ka 70 të punësuar dhe ka hapur pika të tjera.
Ai dhe e shoqja kanë ndikuar jo vetëm në zhvillimin ekonomik të qyetit, por edhe në jetën sociale të tij, duke mbështetur qindra organizata bamirëse.
“Kam qenë i bekuar. As nuk e përfytyroja këtë sukses. Tani dua të ndihmoj të tjerët”, thotë ai.
CNN: Përgatiti Erina Çoku