Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, debuton nesër në stolin kuqezi. Ai ka dalë në konferencë shtypi para ndeshjes në transfertë me Islandën, ku ka theksuar se skuadra e ka asimiluar filozofinë e tij të lojës. Ai do të aplikojë skemën me dy sulmues, siç e ka thënë gjithmonë publikisht. Për këtë ndeshje dhe atë me Moldavinë në Elbasan, trajneri italian nuk ka të gatshëm Strakoshën, Gjimshitin, Mavrajn, Memushajn, Grezdën dhe Binakun.
“Filozofinë e lojës sime e kanë kuptuar, por duhet kohë, duhen ndeshje zyrtare. Në 15 ditët e deritanishme kam parë dëshirë të madhe dhe kam kuptuar elementët e çdo individi. Kjo skuadër ka treguar se di ta interpretojë filozofinë e lojës sime dhe besoj se do të marrim rezultate. Duhet të kemi besim se skema e lojës funksionon.
Do të doja që skuadra të ishte e organizuar, është një aspekt thelbësor për të pasur ekuilibër në fushë. Duhet pjesëmarrje e të gjithë lojtarëve në fushë, edhe mbrojtësit duhet të ndihmojnë në sulm. Mbi të gjitha, duhet të konkludojmë në sulm. Kur skuadra ka ekuilibër dhe është e organizuar mirë në lojë, krijon raste dhe shënon. Shpresojmë ta bëjmë këtë në Islandë.
Filozofia është gjithmonë që të hysh në fushë dhe të luash, jo të rrish të mbrohesh. Islanda është një skuadër me lojtarë shtatlartë dhe do të synojë lojën në ajër. Duhet të kemi kujdes, por edhe ajo ka pikat e saj të dobëta. Dua që skuadra ime të hyjë në fushë i bindur për të marrë rezultat.
Islanda është e organizuar, e di se çfarë kërkon në fushë, bën veprime të sinkronizuara. Kanë Sigurdson në skuadër, një lojtar shumë i mirë, me kualitet dhe i fortë fizikisht. Kanë edhe krahët që luajnë mirë. Por ne duhet të futemi në fushë që ta bëjmë ne ndeshjen dhe jo kundërshtari. Do të bëjmë gjithçka që ta vëmë Islandën në vështirësi. Janë të rrezikshëm dhe duhet të jemi të vëmendshëm.
Grezda? Nuk ka një çështje Grezda. Kemi pasur pikëpamje të ndryshme. Ai ka marrë këtë vendim personal dhe përgjegjësia është e tij. Nuk është për këtë dy ndeshje, kështu mendoi. Janë probleme të tij, jo të mia apo të FSHF-së. Në të ardhmen situata mund të jetë ndryshe. Tani kemi ndeshjen dhe e gjithë vëmendja është aty. Janë gjëra që shkojnë në plan të dytë, sepse rëndësi ka ndeshja. Ndoshta nuk më njihni dhe mund të ketë keqkuptime.
Formacionin do ta mësoni nesër. Kam thënë se do të luaj me dy sulmues, ky është një projekt, por nuk është e thënë se do të luajmë patjetër me dy sulmues. Më shqetëson loja në ajër e Islandës, goditjet standarde, kroset nga këndi, që mund të na krijojnë probleme. Por kanë edhe cilësi të tjera, janë të shpejtë”, – tha trajneri Reja në konferencë.
Reja ka të drejtë, islandezët janë të fortë fizikisht, shtatlartë, të rrezikshëm nga kroset anësore dhe mbi të gjitha të shpejtë. Por unë do të shtoja se janë dhe zëmërligj, të poshtër,të pamëshirshëm, të shënojnë tre ose katër gola dhe nuk të lënë tu bësh asnjë. Me një fjalë, maskarenj hesapi…