Statistikat: Islanda në rënie të lirë dhe me moshë mesatare të lartë

7 Qershor 2019, 17:11Sport TEMA

Pas afërsisht 6 vitesh, përfaqësuesja e Islandës do të vihet sërish përballë kombëtares kuqezi, këtë herë në një sfidë për fazën e grupeve, për ndeshjet eliminatore të kampionatit të ardhshëm evropian, që do të zhvillohet në vitin 2020.

Në fazën kualifikuese për Kupën e Botës “Brazil 2014”, Islanda i fitoi që të dy takimet me përfaqësuesen shqiptare, me rezultatin e njëjtë 2-1, megjithatë skuadra ishullore ka ndryshuar shumë që nga ajo kohë.

Pak a shumë pritej, duke patur parasysh edhe largimin e trajnerit të mirënjohur suedez Lars Lagerback, që bëri kapërcimin e madh si në aspektin cilësor ashtu edhe në atë të rezultateve për kombëtaren e Islandës.

70-vjeçari ishte arkitekti i ekipit që siguroi kualifikimin historik për në fazën finale të kampionatit evropian që u zhvillua në vitin 2016 në Francë, arritja më e madhe e futbollit islandez përsa i përket përfaqësueses.

Pasi eliminoi Holandën në ndeshjet eliminatore, në evropianin francez Islanda madje mbajti poshtë vetes në fazën e grupeve edhe vetë përfaqësuesen portugeze, që siç dihet, në fund u kurorëzua me trofeun kontinental, duke thyer në finale pikërisht vendin organizator.

Bëhet fjalë për periudhën e artë dhe njëherësh edhe pjesën më të suksesshme të kombëtares islandeze, që po atë vit eliminoi në fazën e 1/8-ave Anglinë e drejtuar nga Roy Hodgson, për më tepër duke përmbysur rezultatin, ndërsa ëndrra evropiane u shua nga Franca që fitoi në çerekfinale me rezultatin 5-2.

Pas largimit të veteranit suedez, që më pas mori drejtimin e Norvegjisë, timonin e mori i vetëm Heimir Hallgrimsson, që ishte pikërisht ndihmësi kryesor i ish-trajnerit Lars Lagerback.

Futbollistët ishullorë nuk u vetëkënaqën dhe seria pozitive e rezultateve vijoi edhe në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës, ku Islanda siguroi gjithashtu pjesëmarrjen e parë për në fazën finale të një botërori, në gjithë historinë 107-vjeçare të kësaj Federate, duke fituar Grupin I në Kontinentin e Vjetër dhe mbajtur poshtë vende si Kroacia, Ukraina dhe Turqia me futboll shumë më të zhvilluar.

Në botërorin rus Islanda u shortua në një grup tepër të fortë me Argjentinën, Kroacinë dhe Nigerinë, sidoqoftë skuadra e drejtuar nga Hallgrimsson futi në xhep Mesin dhe bllokoi 2 herë kampionët e botës, në një barazim 1-1, për të rivalizuar në vazhdim deri në sfidën e fundit me Kroacinë, që në vijim u shpall nënkampione e botës, në një duel ku ekipi pësoi gol nga Perisiç pikërisht në sekondat e fundit kur ishte hedhur e gjitha përpara në kërkim të golit të kualifikimit.

Pas Kupës së Botës drejtimi i skuadrës iu besua një tjetër trajneri suedez, 62-vjeçarit Erik Hamren, ish-trajnerit të përfaqësueses skandinave për plot shtatë vjet.

Falë rezultateve shumë të mira, Islanda u përfshi në Divizionin A, me elitën e skuadrave përfaqësuese në Evropë, gjithsesi në edicionin hapës të Kupës së Kombeve kombëtarja ishullore dështoi duke i humbur që të katërta ndeshjet me Zvicrën dhe Belgjikën në Grupin e Dytë, me vetëm 1 gol të shënuar dhe plot 13 të pësuar.
Aktualisht Islanda pozicionohet e 40-a në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, 22 pozicione më lart dhe me plot 82 pikë më shumë se sa kombëtarja kuqezi.

Natyrisht kontigjenti i futbollistëve ka ndryshuar, por sidoqoftë në skuadër 10 nga 25 lojtarët e grumbulluar janë me një moshë mbi 30-vjec, gjë e kuptueshme duke patur parasysh zgjedhjet e kushtëzuara, edhe për vetë faktin që popullsia e këtij vendi është rreth 360.000 banorë, shkuran Super Sport.

Në këtë grumbullim të fundit vetëm dy lojtarë paraqiten nga kampionati vendas, bëhet fjalë për portierin 35-vjeçar Halldorsson dhe mbrojtësin veteran Birkir Saevarsson, ndërsa gjithë pjesa tjetër vjen nga 12 kampionate të ndryshme në Kontinentin e Vjetër, ku spikatin vende si Anglia, Rusia dhe Suedia, e futbollistët e këtyre kampionateve përfaqësojnë pikërisht gjysmën e kontigjentit aktual.

Në Grupin H, në fazën kualifikuese për evropianin e ardhshëm, për momentin Islanda renditet në vendin e katërt me 3 pikë, pra po në të njëjtën kuotë me Shqipërinë që pozicionohet një vend më lart thjesht për hir të golaverazhit.

Islanda që ka fituar 3 nga 4 përballjet me përfaqësuesen kuqezi, luan takimin e parë në shtëpi, sepse në ndeshjet në grupe pas fitores 2-0 në Andorrë në fundin e muajit mars u mund thellë në “Saint-Denis” nga Franca. Për hir të së vërtetës në Paris kampionët në fuqi të botës pas treçerekut të ndeshjes kryesonin vetëm 1-0, sidoqoftë vlen të theksohet fakti që rënia e skuadrës ishullore po ndihet gjithmonë e më shumë, gjë që kuptohet qartë edhe nga vetë statistikat.

Në harkun e 15 muajve, në 17 ndeshjet e fundit konfirmojnë 10 humbje 6 barazime dhe thjesht një fitore e vetme, pra 3 pikët e marra në Andorrë, pikërisht me përfaqësuesen modeste që klasifikohet në vendin e 134 në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.

1 komente në “Statistikat: Islanda në rënie të lirë dhe me moshë mesatare të lartë”

  1. Xhemo says:

    Per fat te keq skemi shanse me islanden. Jan te fort fizikisht, like ne ajer dhe te mbytin ne mesfushe.
    Ishalla kemi fat, po me kta lojtare qe kemi sbesoj se trajner I mund te bej me shume. Ne kemi vec nje kace, xhaka dhe, deri diku berishen ne port dhe lenjanin. Te tjere vec pordhe Kane. Uroj te jem I gabuar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje