Ditën e sotme në orën 15:00, Shqipëria do të zbresë në fushë për ndeshjen e tretë kualifikuese të Euro 2020, atë ndaj Islandës në transfertë.
Me shumë interes pritet debutimi i trajnerit Edi Reja, i cili zëvendëson në këtë pozicion Kristian Panuçin e shkarkuar pas rezultateve dhe paraqitjeve negative.
Sakaq, nëse iu hedh një sy statistikave të përballjeve direkte atëherë kuqezinjtë nisin në disavantazh. 2 përballjet e fundit të dy Kombëtareve kanë qenë për kualifikueset e Kupës së Botës 2014.
Në të dyja ndeshjet Islanda ia ka dalë të triumfojë me rezultatin e njëjtë, 2-1. Për të gjetur një fitore të Shqipërisë duhet të kthehemi pas në vitin 2004, një ndeshje miqësore e fituar po 2-1.
Ndërkaq, në ndeshje zyrtare fitorja e fundit e kuqezinjve daton në vitin 1991, në kualifikueset për europian. Ndërkohë, sa i përket renditjes në FIFA, Islanda renditet në vendin e 40, ndërsa kuqezinjtë ne vendin e 62.
Megjithatë, Shqipëria mund të shpresojë për një rezultat pozitiv duke parë ecurinë negative të kundërshtarëve në ndeshjet e fundit.
Islanda ka fituar vetëm një nga 17 ndeshjet e fundit, duke humbur 10 dhe barazuar 6. Ndërsa në këto ndeshje ka pësuar të paktën 2 gola për ndeshje.
Nga ana tjetër, edhe Shqipëria nuk ka një raport të mirë me shënimin e golave teksa në ndeshjet jashtë fushe nuk ka shënuar në 5 nga 7 sfidat e fundit.
Ndërkohë, në 10 nga 11 ndeshjet e fundit të kuqezinjve kanë parë vetëm njërën ose asnjërën nga skuadrat të gjejë rrugën e rrjetës.