Përtej çiltëltërsisë dhe magjisë së plazhit

22 Gusht 2019, 09:28Blog TEMA
Përtej çiltëltërsisë dhe magjisë së plazhit

Plazhi i Dhërmiut

Nga Çapajev Gjokutaj

Nga kafja ku jam ulur shoh plazhin 100 – 150 metra më tej. Më bën përshtypje lëvizja e njerëzve. Ngjajnë si në një film me projektim të ngadalësuar. Pamja përcjell një lloj qetësie, përzier me nge, shkujdesje dhe përzëmërsi.

Më kujtohet nëpër të një poezi e Driteroit. Ç’qe kjo hata e madhe që na bëre, o plazh, thotë poeti, na i hoqe rrobat si fletët e pemëve. Dhe kështu lakuriq na ngjan vetja si fëmijë të dashur e të çiltër. Po sikur të veshim kostumet e të lidhim kravatat, çiltërsia avullon në çast, bëhemi hijerëndë siç e kërkon sëra e distanca.

Çiltërsia që gjeneron të jetuarit në natyrë më kujton Beniamin Franklinin që, gati tre shekuj më parë, fliste për një fakt të çuditshëm.

Fëmijët e indigjenëve që kapeshin dhe rriteshin nga kolonët e bardhë nuk para krijonin afinitet me jetën moderne dhe në rastin më të parë iknin. E kundërta ndodhte me të bardhët, fëmijë e të rritur, që për një arsye a tjetrën jetonin në tributë indigjene. Shumica nuk para kishin dëshirë të ktheheshin.

Është vështirë të thuash pse jeta e indigjenëve u dukej më tërheqëse sesa jeta gjithë lehtësi e komoditet e qytezave.

Natyra, thonë disa, është si dashuria e parë, gjeneron nostalgji dhe të tërheq drejt gjirit të vet gjithë jetën. Stërgjyshrit e lashtë të njeriut s’kishin shtëpi të ngulura, jetonin në natyrë.

Antropologë të tjerë thonë se ishte liria ajo që i ngashënjente kolonët drejt jetës tribale. Të jetosh pa orare e disiplinë të rreptë, me veshje bazike pa shumë konvencione e kotësi, me ndalesa minimale në marrëdhëniet e seksit, ngjan si çlirim nga verigat e civilizimit.

Të tjerë thonë se është egalitarizmi apo barazia social që e bën ngashënjyese jetën e tribusë. Si mbledhës e gjahtarë, tributë e indigjenëve bënin jetë nomade dhe s’ishin të interesuar për kamje e rraqe të tepërta që do t’ua bënte lëvizjen ferr.

Vërtet kamja dhe katandia i sigurojnë jetë të rehatshme njeriut të qytetruar, por edhe po e shtyjnë t’i ikë jetës kolektive e të përjetojë një vetmi gati-gati pathologjike.

Jo vetëm kaq, kamja dhe komoditeti e shtypin dhe e stresojnë njeriun me preokupimet për t’i siguruar e për t’i ruajtur.

Mes këtij stresi të vazhdueshëm për karrierë, status e kamje, bëhet e kuptueshme pse në qytetërimin e sotëm njerëzit kanë aq shumë çrregullime psikologjike e mendore, thotë Sebastian Junger në librin ‘Tribe: On Homecoming and Belonging’, nga kam marrë faktet e mësipërme.

Me sa duket njeriu i qytetërimit të sotëm jeton një kontradiktë ndrydhëse. Më njerën anë ka dëshirën për liri e egalitarizëm, që ia kanë programuar në gen dhjetēra mijëra vjet të jetës nomade si gjahtar e mbledhës. Më anë tjetër ka dëshirën për status, karierë e kamje, që ia ka mësuar kultura në këto 10 – 12 mijë vjetët e fundit.

Dhe ndodh që, i stresuar nga lufta e natyrës me kulturën humbet toruan e ndonjëherë dhe mendjen. Tek tributë çrregullimet psikologjike e mendore janë gjë e rrallë, kurse tek kafshët që rriten në natyrë nuk ndodhin kurrë.

Me sa duket çdo arritje e ka një çmim. Vetëm se nuk paguajmë me para, por me pjesë nga vetja, si ai djaloshi i legjendës që, për të kaluar në botën tjetër, ushqente shkabën me mish nga trupi i vet dhe, kur arriti në të përtejmen ishte bërë skelet.

 

3 komente në “Përtej çiltëltërsisë dhe magjisë së plazhit”

  1. Doktori says:

    Me tere ate plazh perpara, dhe me trupa te bukur perpara teje, keto gjete te mendoje zoti Capajev? Per keto shkronja te zymta u lodhe gjer ne plazh zoti Capajev?
    Ore, per zotin, ca i hedh kafes ti, se nuk me duket sheqer mua ajo e bardha? Njerezit shkojne ne plazh per te hequr streset e jetes se perditeshme, te karikojne baterite, qe te kene energji pozitive te punojne, te pakten deri per Krishtlindje dhe Vitin e RI, kur ambjentet dhe atmosfera festive krijojne perseri ndjenja positive tek njerezit. Pastaj nje cikel tjeter deri per Pashke, dhe presim veren perseri per plazh.
    Ndersa ti o byrazer, paske vajtur ne plazh me mendime vetevrasjeje.
    Ore Capajev, te punon mo, te punon? Televizori thom. Futja nje dokumentar tek Discovery Channel, dhe beje edhe ti si ato kafshet ne dokumentar. Do shohesh se do te te ikin mendimet e keqija, dhe do ta shohesh jeten ne menyre me pozitive. Te cliron endorfina qe te rregullojne gjendjen emocionale. Llaf doktori ky. Ose futu ne shoqaten “I merzitur Anonymous”. Sa te thuash fjalet e para “Une jam Capajev Gjokutaj dhe jam i merzitur nga jeta” do ndjehesh me mire.
    Pak jane te stresuar shqipetaret nga jeta e veshtire ne mungese te shtetit juridik dhe demokracise, por edhe shkrimet e tua kafkeske mungojne.

  2. Lenini says:

    Respekte Z. Gjokutaj,
    Shkrimet tuaja janë gjithmonë shumë të këndshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje