ANALIZA: Pse të inkriminuarit vazhdojnë të hyjnë në politikë?

30 Gusht 2019, 16:30Politika TEMA
ANALIZA: Pse të inkriminuarit vazhdojnë të hyjnë në

Dy kryetarë socialistë bashkish, në Bashkinë e Shkodrës dhe atë  të Vorës, të zgjedhur 2 muaj më parë në Lokalet 2019, sipas opozitës, janë me rekorde kriminale. Të dy i kanë fshehur ato në plotësimin e formularëve përkatës në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.

Njëri, Valdrin Pjetri në Shkodër dha dorëheqjen, kur opozita publikoi dokumenta që vërtetonin dënimin e tij në Itali për shitje droge, në vitin 2003, kur ishte student. Tjetri, Agim Kajmaku, në Vorë, akuzohet nga opozita se po në vitin 2003, u arrestua në Greqi për përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të fallsifikuara. Ai u arratis nga burgu pa kryer dënimin, erdhi në Shqipëri, ndryshoi identitetin dhe u bë biznesmen i pasur. Sipas opozitës Kajmaku kërkohet edhe sot e kësaj dite nga drejtësia e Greqisë.

Të enjten, (29.08.2019) opozita publikoi dokumenta që sipas saj vërtetojnë sa më lart për Agim Kajmakun. Por ai i quan akuzat e opozitës “shpifje, sulm politik” dhe vazhdon të jetë kryetar i Bashkisë së Vorës. Dorëheqja ose jo e Agim Kajmakut, do të varet nga rezultatet e hetimit, që me kërkesën e opozitës po kryen për atë Prokuroria e Përgjithshme.

Dukuria e futjes në politikë të personave me rekorde kriminale u shfaq në Shqipëri për herë të parë në zgjedhjet parlamentare 2009, të fituara atëherë nga Partia Demokratike, (PD). Sistemi zgjedhor i centralizuar, që u përdor së pari në ato zgjedhje, bëri të mundur që të hynin në parlament persona me rekorde kriminale, gjë që vijoi edhe në zgjedhjet parlamentare 2013, të fituara nga Partia Socialiste, (PS). Të dyja palët brenda një dekade forcuan modelin politik të imunitetit, paprekshmërisë që individë/ biznesmenë të pasur me rekorde kriminale mund fitojnë përmes hyrjes në politikë.

Prof. Afrim Krasniqi, studiues, autor i librit,”Dekriminalizimi – Gjendja, Problematikat dhe Pritshmëritë ”, botuar me mbështetjen e fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”,  thotë për Deutsche Wellen, se të gjitha rastet e individëve të inkriminuar vijnë nga biznesi dhe  jo politika. “Të gjithë të inkriminuarit e deritanishëm, deputetë në Parlament apo kryetarë bashkish, janë prurje aksidentale nga biznesi, lobimi dhe financimi elektoral. Asnjë prej tyre nuk është zgjedhur nga partitë politike përmes garës por janë diktuar nga lart, nga drejtuesit e partive”.

Kryetari i PS, kryeministri Rama tha ditët e fundit se Valdrin Pjetri, „doli mollë e kalbur”, për të cilën PS ” nuk mban përgjegjësi por reagon duke e flakur atë”. Rasti  i flakjes së Valdrin Pjetrit shfaqet deri tani si i vetmi në spektrin politik të Tiranës. “As deputetët që humbën mandatin për shkak të rekordeve kriminale, as ndonjë prej tyre që sot ndodhet në burg, as ish-kryetarët e bashkive të dorëhequr apo në listën e zezë të SHBA nuk

janë përjashtuar nga partia e vet politike. Përkundrazi, ata janë deleguar në bazë dhe vijojnë të jenë aktivë në fushata elektorale , të ushtrojnë “de facto” më shumë ndikim në zonat e tyre lokale sesa ai që ushtronin kur ishin në parlament apo në vendimmarrjen politike. Ata vijojnë të jenë përfitues privilegjesh si ish-deputetë, ish kryetarë bashkish dhe në ndonjë rast edhe të rikandidojnë në zgjedhjet parlamentare apo lokale” thotë për DW, Prof. Krasniqi.

Ai mendon se kjo situatë i ka rrënjët tek financimi i partive politike nga burime private  “që kanë aktivitete kriminale dhe korrupsion”. Dy rastet e fundit kanë nxjerrë në dritë mangësitë e ligjit të dekriminalizimit që bëri të mundur largimet  daljen „de jure” nga politika por jo „de facto” të inkriminuarve, në 4 vitet e fundit të zbatimitt ë tij.

Ligj jo efikas, institucione të dështuara

Ligji i dekriminalizimitt të politikës hyri në fuqi në vitin 2015. Sistemi zgjedhor i centralizuar, me të cilin u zhvilluan për herë të parë zgjedhjet parlamentare 2009  hapi dritën e gjelbër për hyrjen në Parlament të personave të pasur, me rekorde kriminale. Dukuria vijoi edhe në zgjedhjet e vitit 2013, të fituara nga PS dhe u bë shqetësim i opozitës së kryesuar nga PD, që mori nismën për ligjin në fjalë.

Ligji, i miratuar nga dy palët ndalon “ҫdo individ, që në të kaluarën është dënuar nga gjykatat vendase apo të huaja, për t’u zgjedhur apo emëruar në funksione publike”. Pas hyrjes së tij në fuqi, pati largime dhe dorëheqje të figurave publike me rekorde kriminale nga PD dhe PS. Por rastet e freskëta të Shkodrës dhe Vorës  tregojnë se ky ligj nuk po plotëson pritshmëritë për ҫrrënjosjen e hyrjes në politikë të inkriminuarve.

“Ligji ka mangësi. Ai penalizon ata që plotësojnë formularin e dekriminalizimit, në të cilin ka elementë kërkues që nuk janë në ligj. Rreth 40% e figurave publike që janë larguar për shkak të rekordeve kriminale, janë penalizuar jo nga ligji, por nga formulari, ” thotë për DW, Prof. Krasniqi. Rastet Pjetri dhe Kajmaku tregojnë edhe dështimin e institucioneve të verifikimit, përfshirë edhe Shërbimet Sekrete aq më tepër kur është fjala fjala për persona të pasur, që hyjnë në politikë nga biznesi.

SPAK – faktor kyҫ për ndryshim

Rastet e dy kryebashkiakëve socialistë, njëri i dorëhequr dhe tjetri në pritje të rezultatit të hetimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, kanë  ngjallur debat në PS. Kryetari i saj dhe kreu i qeverisë Rama flet për përgjegjësi të individit dhe jo të partisë. Ish-Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, kundërshtoi Ramën, në mes të kësaj jave ( 28.08)  kur në mbledhjen e kryesisë së PS tha, se ” PS ka përgjegjësi të madhe në shfarosjen e fenomenit të rikthimit në PS të njerëzve me të kaluar të dyshimtë dhe se duhet një reformë politike brenda partive politike, për të sjellë një kulturë të re politike.”

Prof. Krasniqi thotë për DW se “reformimi i partive politike duhet t’i detyrojë ato,  përmes ligjit të partive, të bëjnë zgjedhje të brendshme konkurruese, të jenë transparente dhe të mbajnë përgjegjësi. “Krahas reformimit  të partive, duhet reforma e sistemit zgjedhor për t’i dhënë fund modelit politik “i forti blen vota për të blerë më pas pushtetin”. Ligji duhet të detyrojë partite të bëjnë transparente burimet e tyre financiare dhe të ҫdo kandidati. Një faktor kyҫ pritet të jetë SPAK, që do të ushtrojë presion të vazhdueshëm ndaj kryetarëve të partive për ta bërë të pamundur hyrjen në politikë të individëve me rekorde kriminale, por me fuqi të mëdha financiare dhe lobuese në politikë”, thekson Prof. Krasniqi për DW.

2 komente në “ANALIZA: Pse të inkriminuarit vazhdojnë të hyjnë në politikë?”

  1. sunitet nuk bejne shtet,lloji i kafshes......... says:

    kjo, pasi ne nje bourdhelo islamike si albanistoni mund te tall lesht kushdo…………qoft ki kriminel.injorant,batakci,i pabese,i pa fe,i paftyre,i pa shkolluar madje deri ………i shkalluar!
    shikoni kryegjatoshin,bredh me adidas apo citjone neper pipell,kur 70% e ketyre hane buke me list!

  2. xhemal says:

    se per cfare rekorde kriminale flet analisti se kuptoj…. keta persona qe paskan shitur droge apo kane vene ne qarkullim para fallco 16 vite me pare te dy te rinj pse nuk jane perballur me drejtesine ..e dyta keta qe i akuzojune kur kane qene ne pushtet pse si kane arrestuar e ti dergonin para drejtesise ne itali apo greqi,sipas tyre mud te fallsifikosh apo te shesesh droge e te jesh i lire vetem mos u merr me poklitike e mos tento te futesh ne garen per pushtet kjo eshte nje gje absurde pra politikanet e ketij lloji mendojne vetem per shtepine e tyre te jete e paster shumicen ta marre lumi,tjeter ligji nazist qe aplikohet ne shqiperi pervecse do te krijoje nje njeri te paster nje rrace tjeter te krijuar ne regjimin . mundohet ti denoje njerezit perjete edhe pse ata mund te gabojne e shlyejne gabimin sic parashikojne rregullat e ligjet ne nje shoqeri demokratike e pastaj jane te lire te zgjedhin e te zgjidhen …ka filluar prape behen biografi filani djal komunisti,filani djale ballisti etj etj ne do ndertojme nje shoqeri per te gjithe apo do bejme prape lufte klasash ,grupesh,fisesh krahinash ngjyrash etj etj.. kam degjuar qe njeri nga kantidatet per kryetar bashkie ka pasur poste te rendesishme ne shtet e asnjeri nuk flet si i ka kryer detyrat dmth nje lajthitje e tij ne rini e ka bere ate perjete me njolle,,mentaliteti i gjithe i nje regjimi pse jo me afer nazismit..uroj qe njerezit e ditur e te arsyeshem te ngrene zeri e te shkruajne e spjegojne mire demokracine ne pergjithesi kushtetuten e shqiperise ne vecanti jo me opinione partiake por thjesh me argumente e te kuptohen nga te gjithe

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje