Izraeli mund të ketë përgjuar Shtëpinë e Bardhë për dy vjet me radhë. Siç raporton Politico, i cili i rferohet raportimeve të tre ish-zyrtarëve amerikanë, pajisje përgjuese dyshohet se janë vënë në afërsi të Shtëpisë së Bradhë dy vjet më parë.
Sipas raportit, pajisjet përgjuese të celularëve ka të ngjarë të kenë pasur synim pikërisht telefonin e Donald Trump. “Është shumë e qartë që izraelitët janë pas kësaj“, citohet një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane.
Një zëdhënës i Ambasadës së Izraelit në Uashington, Elad Strohmayer, i ka hedhur poshtë këto pretendime. “Këto pretendime janë marrëzi absolute. Izraeli nuk kryen operacione spiunazhi në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.
Pas mbërritjes në Soçi, ku pritet të takojë Presidentin rus, Vladimir Putin, edhe kryeministri Netanyahu gjithashtu e mohoi një gjë të tillë. “Ne kemi një direktivë, unë kam një direktivë, nuk ka punë të inteligjencës në Shtetet e Bashkuara, nuk ka spiunazh. Dhe është zbatuar fuqishëm, pa asnjë përjashtim. Ai [raporti] është një trillim i plotë, një trillim i plotë,” tha ai.
Pajisjet spiunuese që janë zbuluar, sipas raportit njihen si “StingRays” dhe imitojnë antenat celulare, me qëllim që të marrin vendndodhjen e tyre dhe detaje të identitetit. Ato njihen si regjistruese të identitetit të abonentëve celularë, ose ndryshe IMSI-catcher.
Shtëpia e Bardhë ka refuzuar çdo koment në lidhje me këtë çështje, po ashtu edhe FBI dhe Departamenti i Sigurisë.
Në tetor 2018, zyrtarë të Departamentit të Sigurisë kanë zbuluar prova të pajisjeve përgjuese pranë Shtëpisë së Bardhë, si dhe disa pika të tjera strategjike përreth Uashingtonit, thuhet në raport.
FBI, së bashku me agjencitë e tjera që hetojnë çështjen, bënë fajtor Izraelin pasi kryen një analizë të hollësishme, kanë thënë zyrtarët amerikanë për Politico.
Raporti citon ish-zyrtarë dhe individë që kanë punuar me administratat e mëparshme, sipas të cilëve shqetësim se Izraeli spiunonte Shtëpinë e Bardhë ka qenë i zakonshëm.
“Ka pasur raste që na është krijuar ideja se dikush kishte dijeni për atë që ne mendonim. Herë pas here përdoreshin fraza dhe një lloj gjuhe që ne e kishim përdorur vetëm në draftet e fjalimeve që kurrë nuk ishin bërë publike.
Në disa raste, zyrtarë izraelitë na i përsërisnin dhe thoshin: ‘Do të ishte vërtet problematike nëse ju do të thonit X gjë”, citohet një ish-zyrtar amerikan.