Integrimi në BE, Gjermania konfirmon mbështetjen për Shqipërinë: Rezultate të jashtëzakonshme në forcimin e shtetit të së drejtës

16 Shtator 2019, 12:46Politika TEMA

Sekretari i Shtetit në Ministrinë gjermane të Drejtësisë, njëkohësisht zv.ministri Christian Lange, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Shqipëri ku ka zhvilluar një takim të zgjeruar me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Lange ka shprehur sërish mbështetjen maksimale për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke vënë theksin te merita që ka implementimi i reformës në drejtësi sipas standardeve më të mira të përcaktuara nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.

Teksa i ka shprehur vlerësimet maksimale ministres Gjonaj për punën e bërë, Lange nënvizoi se Berlini zyrtar ka konstatuar rezultate të jashtëzakonshme në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Ai është shfaqur optimist mbi çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ku njoftoi se së në mbledhjen e fundit të Partisë Socialdemokrate në Gjermani, votimi ishte unanimisht pro çeljes së negociatave.

Disa nga detajet e takimit, janë përcjellë përmes një statusi në rrjetin social Facebook edhe nga ministrja Etilda Gjonaj.
Kjo e fundit ka falenderuar zyrtarin e lartë për të gjithë mbështetjen që i ka ofruar që në fillesat e reformës në drejtësi.

Ndër të tjera Gjonaj shkruan:

“Pata nderin të prisja Sekretarin e Shtetit në Ministrinë gjermane të Drejtësisë z. Christian Lange, një mik, një përkrahës dhe bashkëpunëtor i vyer në reformat më të rëndësishme që kemi ndërmarrë për forcimin e shtetit të së drejtës.

Duke vlerësuar maksimalisht arritjet e deritanishme, Z. Lange konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit në proceset integruese të Shqipërisë.

E sigurova z. Lange për vullnetin e Qeverisë dhe angazhimin tim personal në krye të ministrisë që drejtoj, e cila ka përmbushur dhe po përmbush të gjitha objektivat e nevojshme për zbatimin e reformës në drejtësi, si edhe mbi rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit.

Gjatë takimit, u garantua mbështetje e mëtejshme nga Ministria gjermane e Drejtësisë mbi fuqizimin e instrumenteve bashkëpunuese përmes projekteve të përbashkëta për të avancuar më tej me reformat që do të forcojnë shtetin e së drejtës”, nënvizon Gjonaj.

Gjatë takimit, Lange u tregua i gatshëm që Gjermania mund të ndihmojë më shumë proceset reformuese të Ministrisë së Drejtësisë përmes EURALIUS dhe IRZ (GIZ) duke vendosur theksin tek një bashkëpunim i thelluar në luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar.

Lange është shprehur se është shumë e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, SPAK dhe BKH të bëhen funksionale në muajt e ardhshëm.

“Me vizitën time dhe bisedat që po zhvilloj në Shqipëri dëshiroj të krijoj një ide për gjendjen e reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi është një parakusht i rëndësishëm për procesin e përafrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qeveria Federale mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Një sistem drejtësie i pavarur, profesional dhe transparent është themeli për çdo shtet të së drejtës dhe çdo demokraci. Reforma e drejtësisë në Shqipëri është një proces unik në të gjithë rajonin, i cili tashmë ka arritur synime të rëndësishme dhe hap rrugën për një drejtësi të reformuar tërësisht, e cila duhet të orientohet vetëm nga e drejta dhe ligji. Unë përshëndes faktin që reforma në drejtësi po përparon në mënyrë të vazhdueshme dhe që institucionet e krijuara të drejtësisë kanë filluar punën. Tani më duket e rëndësishme që ndër të tjera Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, SPAK dhe BKH të bëhen funksionale në muajt e ardhshëm. Në mënyrë që reforma në drejtësi të marre më tej vrull, duhet që të gjithë institucionet e përfshira të vazhdojnë të punojnë në mënyrë profesionale dhe të fokusuar. Gjermania mbështet me ekspertizë dhe resurse reformat në shumë fusha dhe do të vazhdojë ta bëj këtë edhe në të ardhmen.

Unë jam plotësisht i bindur që shteti i së drejtës në Shqipëri do të forcohet në mënyrë afatgjatë nëpërmjet reformës në drejtësi – me gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë dhe të pavarur. Në fund këto përpjekje do të kontribuojnë, që shqiptarët të kenë përsëri më shumë besim në sistemin e drejtësisë dhe që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj.” ka thënë Lange.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje