Pas publikimit të raportit që Ilir Meta i ka dërguar Komisionit të Venecias, lidhur me ç’dekretimin e 30 qershorit, Jari zbulon për fansat e vet dhe një detaj shumë të rëndësishëm, numrin e faqeve, që është 55:
“Të dashur demokratë,
Jari ju sqaron!
Pamvarësisht argumenteve të forta që Meta ka paraqitur në raport, nje detaj i rëndësishëm është numri i faqeve.
Ai është plot 55.
Ilir Meta e ka bërë këtë me qëllim, në homazh të gazetës “55”, që ka dy vjet që nuk botohet më nga miku i tij, Fahro.
Në një kërkesë drejtuar Metës, Fahro ja ka kërkuar këtë nder, pasi siç shkruan ai, rreziku më i madh që i kanoset opozitës, është të harrojë gazetën “55”.
Po harroi gazetën “55”, do harrojë nenin 55, do harrojë kontributin e Fahros për demokraci proletare dhe mund të shkojë puna deri tek mos leximi i librit të fundit të Klevesit, mbi betejën e Unazës së Re.
Ndaj Meta ja ka bërë me dëshirë këtë nder, duke zgjatur raportin dhe duke e faqosur në 55 faqe.
Kjo e ka lumturuar pa masë Fahron dhe prej dje ai është parë duke trokitur në disa dyer biznesmenësh, për të botuar raportin 55 faqësh, si libër.
Duke kërkuar para për botimin e raportit “55”, siç e quan ai, Fahro rikuperon dhe humbjet që mund të ketë nga libiri i Klevesit, i cili është vjedhur me shumicë në shtypshkronjë nga padurimi i njerëzve për ta lexuar, dhe nuk ka mundur të shkojë dot në treg.
Po ashtu, libri është dëmtuar nga fakti që ai lexohet çdo natë tek Unaza e Re nga protestuesit, dhe njerëzit në vend që ta lexojnë, e dëgjojnë.
Shpresa e Fahros se raporti “55” i Ilir Metës do ta shpëtojë nga kriza financiare, tregon qartë shpirtgjerësinë dhe gjithëpërfshirjen e Ilir Metës me këtë raport, duke mos lënë jashtë asnjë segment të opozitës.
I juaji, Jari!”