Prokuroria kërkon 4 vite burg për gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi

26 Shtator 2019, 17:55Kronika TEMA

Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi të enjten dënimin me 4 vite burg për gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi, i akuzuar për veprat penale të “korrupsioni pasiv” dhe “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Prokuori i çështjes, Klodian Braho paraqiti konkluzionet përfundimtare që bazoheshin në pamjet filmike të transmetuara në datën 8 janar 2019 në emisionin “Stop” të televizionit Klan, ku në bisedat e siguruara nëpërmjet kamerave të fshehta përfshihej gjyqtari Hysi dhe psikologia Elona Meçani.

Sipas prokurorisë, në pamje shfaqet fakti se një qytetare i jep psikologes 500 euro për gjyqtarin Hysi, duke i premtuar edhe 500 euro të tjera pasi procesi të përfundojë në favorin e saj.

Pamjet sugjerojnë gjithashtu se gjyqtari Roland Hysi i kërkon favore seksuale nënës së divorcuar në këmbim të vendimit gjyqësor.

Veç dënimit me 4 vjet heqje lirie, prokurori Braho kërkoi edhe dënim plotësues për moslejimin e Hysit të ushtrojë funksione publike për 3 vite.

Pas njohjes me kërkesat përfundimtare të organit të akuzës, treshja gjykuese e Krimeve të Rënda, e përbërë nga gjyqtarët Sandër Simoni, Klodian Kurushi dhe Daniela Shirka shtyu seancën për t’i dhënë kohë mbrojtjes të përgatisë konkluzionet e saj.

Nëse do të dënohet, gjyqtari Roland Hysi, aktualisht i pezulluar, do të përfitojë ulje të dënimit për shkak të përfitimit të gjykimit të shkurtuar. Ndërkohë, çështja për psikologen Elona Meçani ka kaluar për shqyrtim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.

1 komente në “Prokuroria kërkon 4 vite burg për gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi”

  1. Jugu says:

    Ky do denohet sa do denohet Tahiri, zero muaj ne burg. Kuptohen leket qe kan fituar me korrupsion, ky, se Tahiri me droge, po i perdorin per te mos bere asnje dite burg. Vend rrumpall, shtet hajdut, popull jo i squt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje