Ndoshta Franco Lerda kur firmosi kontratën me kampionët e Partizanit, nuk e imagjinonte se do ishte personi më i kritikuar pas 5 javëve të para të një kampionati që filloi mes polemikash dhe çudirash.
Mjafton një rezultat i papritur dhe menjëherë opinionistët lëshojnë lumë sharjesh dhe ofendimesh ndaj “pepinos që nuk është për Legjendën, por bën mirë të shkojë prapë në Itali të stërvisë ndonjë skuadër në Serinë C”.
Pak rëndësi ka nëse qëndron apo ikën Lerda, por si profesionist nuk mund t’i hedhësh poshtë punën e bërë dhe futjen e një skeme të re që, nëse realizohet me sukses, ka avantazhe në futbollin e sotshëm.
Dhe e tregoi mirë edhe në ndeshjet e Europës, që kur skema funksionte, skuadra ishte shumë e rrezikshme. Mirëpo, lepuri fle gjetkë.
Klubi i Partizanit është ndër të paktët në Shqipëri që ka një president që nuk ndërhyn në formacion, është korrekt me pagat dhe krijon kushte shumë të mira pune.
Si rrjedhojë, posti i trajnerit është tejet i lakmuar. Tregu i trajnerëve është plot dhe gjithsecili ka synimet e veta për të marrë drejtimin e kampionëve. Normale.
Por të paktën, le të mos e kërkojnë një gjë të tillë duke fërkuar duart kur skuadra nuk ecën. Lerda, edhe sikur të jetë trajner i keq, sërish ka mundur të sjellë një kulturë dhe edukatë pune që vihet re.
Mentalitet italian, që siç thoshte Winston Churchill kur fliste për ta, “i humbasin ndeshjet e futbollit, sikur të jenë beteja lufte”.
Kuptohet që skuadra duhet të mbrojë titullin, por nuk mund të pretendosh të shohësh javët e para një skuadër dominuese, pasi të gjitha skuadrat luajnë fort në fillim. Madje, as në Europë nuk ka skuadër të tillë. Dhe kjo ndodh edhe me trajnerët e mëdhenj.
Po të ishte Gega ende në krye të stolit dhe të ndodhej tre pikë larg kreut, siç është tani Partizani, a do të fliste njeri kështu?
Trajnerët e huaj kanë sjellë përvojën e tyre dhe shkollave të vendeve nga kanë ardhur, prandaj futbolli ynë vetëm të mira ka. Sepse duhet edhe të mësohemi të respektojmë punën e gjithsecilit për atë që bën.
Prandaj, Lerda të ketë kohën e vet sepse edhe derbi është në horizont dhe nuk dihet se kush do të fitojë. Shkop magjik nuk ka askush, por idetë dhe puna e ngritur deri tani premtojnë shumë.
Topin e kanë lojtarët dhe impenjimi i tyre në derbi do të flasë jo vetëm për rezultat, por edhe për atmosferën rreth klubit me numrin më të madh të tifozëve në Shqipëri.
Edi Hajdini-TemA TV