Një ngjarje e rëndë u denoncua se ka ndodhur pasditen e së premtes në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë.
Një person u raportua se ka marrë jashtë dëshirës në automjet një 13 vjeçare dhe është larguar.
News 24 thotë se 13-vjeçarja, me inicialet S.B., ka qenë së bashku me motrën e saj dhe është rrëmbyer sapo ka zbritur nga furgoni i shkollës.
Ndërsa A2 CNN thotë se, sipas dëshmisë të së motrës dhe të gjyshes, e cila ishte në ballkonin e shtëpisë dhe po priste vajzat, një person ka zbritur nga një makinë “Fiat”, ngjyrë e kuqe, i ka dhënë diçka në gojë vajzës dhe më pas e ka tërhequr jashtë dëshirës së saj.
Familjarët kanë bërë të ditur se vajza vuan nga diabeti i kategorisë së parë dhe kjo do të thotë se duhet të marrë katër herë në ditë insulinë, ndaj ajo duhet të kthehej sa më parë.
Pas disa minutash, vajza është gjetur.
Top Channel nga ana tjetër jep një tjetër version.
Sipas TCH, vajza ishte larguar me shoqet e saj me dëshirë dhe nuk është rrëmbyer.
Ajo raportohet se është gjendur në një lokal tek “Pazari i Ri”.
Drejtori i Policisë Rebani Jaupi, deklaroi se pas kontrolleve në të gjithë Tiranën, vajza është gjetur në një lokal në kryeqytet, duke pirë një pije freskuese, me disa shokë e shoqe.
Ai është shprehur se kur e kanë gjetur vajzën, një pjesë e miqve të saj që kishin qenë me të në tavolinë, janë larguar pasi i ka kapur paniku.
Pritet që vajza të merret në pyetje në prani të familjarëve dhe psikologes për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht.