FMN për efektet e luftës tregtare: Mund ti heqin ekonomisë botërore 700 milliard dollarë

9 Tetor 2019, 15:15Bota TEMA

Konfliktet tregtare po ndikojnë te ekonomia botërore, duke ngadalësuar ndjeshëm aktivitetin e manifakturës dhe investimet, sipas shefes së re të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.

Për ekonominë botërore, efekti i luftës tregtare mund të përkthehet në një humbje prej rreth 700 miliardë dollarë deri në vitin 2020, apo sa 0.8% e Produktit të Brendshëm Bruto, sipas fondit.

Ekonomistja bullgare, që zëvendësoi francezen Christine Lagarde më 1 Tetor, e krahasoi këtë shifër me ekonominë e Zvicrës. Lufta tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara jo vetëm që ka rritur kostot direkte për bizneset dhe konsumatorët, por ka shkaktuar gjithashtu efekte dytësore, si humbja e besimit të investitorëve dhe luhatje të tregjeve financiare. Georgieva tha se të gjithë humbasin nga lufta tregtare dhe i bëri thirrje vendeve që të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje.

Shefja e re e FMN, bëri thirrje për një reagim politik të sinkronizuar për të nxitur ekonominë. Ajo tha se tek prioritetet politike përfshihen politikat monetare, mjetet fiskale, zbatimi i reformave strukturore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Georgieva, që ka qenë një ikonë e luftës kundër ndryshimit klimatik, tha se një nga prioritetet e FMN është mbështetja e vendeve për të ulur ndotjen dhe vendosja e një çmimi të lartë të karbonit. Hulumtimet e reja të fondit konfirmojnë se taksa e karbonit mund të jetë një mjet efektiv.(scan)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje