Ka seanca parlamentare që mbahen mend për ligjet që miratohen dhe të tjera që mbeten në kujtesë për gjuhën e përdorur, konfliktin politik dhe personazhet specifik të kohës. Një prej këtyre rasteve është përplasja mes Sali Berishës dhe Gramoz Ruçit, ku debati për një projekt rrugor u zhvendos shpejt nga argumentet teknike te sulmet personale, ironia therëse dhe metaforat politike. Ishte viti 2007 kur Berisha ishte kryeministër ndërsa Gramoz Rucci ishte numri 2 i Partrisë Socialiste në opozitë. "Salaria", prej nga e ka origjinën socialisti, një fshat i vogël në Tepelenë, u kthye atë ditë në simbol të një retorike që mbajti debatin në seancë plenare për disa orë. Ruçi e mbylli replikën me vargjet e Dritëro Agollit, "Në vendin tim e në vendin tënd, një i çmendur një vend çmend", duke ia adresuar drejtpërdrejt Berishës, ndërsa ky i fundit iu përgjigj me sarkazëm ndaj "epiqendrës së botës", Salarisë, duke e shoqëruar fjalimin me krahasime thumbuese dhe batuta për kundërshtarët. Ishte një përplasje tipike e tranzicionit shqiptar, mes dy prej protagonistëve më të rëndësishëm të politikës së pasviteve '90.
Gramoz Ruçi - Largoje të lutem mendjen e të paudhit nga koka jote!
Dua ta përfundoj këtë interpelancë me keqardhje për ty, që dhe 5 vjetët e tua të `92-`97-ës, megjithëse të zgjodhën President, ti u bëre gjëmë e Shqipërisë dhe jo President i këtij vendi. Mirëpo, zotrote, jo vetëm që nuk ke ndryshuar, por me shenjat që po shfaq publikisht, kërkon të kthehesh në një gjëmë tjetër për këtë popull.
Duke përfundur, nuk e di se pse më erdhën ndër mend vargjet e poetit të madh, Dritëro Agolli, që shkruan: “Në vendin tim e në vendin tënd, një i çmendur një vend çmend”.
Zoti të bekoftë, o zoti Berisha, dhe Zoti e shpëtoftë këtë vend nga ti, o zoti Sali!
Sali Berisha - Erdha në Parlament jo se nuk e dija, zoti Ruçi, që epiqendra e botës dhe kryeqyteti i Jugut është Salaria, jo se nuk e dija se këtu do të vinin dhitë, mushkat, për të mos thënë dhe veshgjatët, si personazhet e një thashethemnaje të një nate dimri të parakohshëm. Por erdha këtu, sepse desha të qartësoja edhe një herë shqiptarët se prioriteti ynë i prerë është Vlora, poli kryesor i turizmit të vendit, autostrada Lushnjë-Vlorë. Qartësova se nuk e kemi anuluar projektin. Çfarëdo thashethemnajë që të ngresh mbi të, ju dhe cilido, e vërteta është kjo. Sikundër theksoj se në mënyrë absolute, në rast se fizibiliteti i studimit të boshtit qendror të Jugut do ta tejkalojë këtë projekt, asnjë mëdyshje nuk ka se gjirokastritët, për të ardhur në kryeqytetin e tyre, nuk do të dalin në Levan, por do të dalin në Berat, Cërrik, Papër, Tiranë. Kjo rrugë e shkurton 84 kilometra distancën Tepelenë-Tiranë, ndërsa plus 30 kilometra të tjera Sarandën, në qoftë se kalohet nga Kardhiqi në Sarandë.
Unë dhe një herë them se nuk dua të merrem këtu me kakofoninë që paraqiti deputeti, por dua ta siguroj se këtu s’kemi të bëjmë me asgjë tjetër, veçse me qëllime për zhvillimin në tërësi të vendit, për aq sa turizmi mund të ndikojë në zhvillimin e këtij vendi. Nuk është e vërtetë se është inauguruar. Po, është inaguruar katër herë Kalivaçi. Po e dini ju se kur e pyeta unë përfaqësuesin e atij vendi, ç’më tha? Ai tha nuk ekziston, madje Fatos Nano vesh një shqiptar si italian dhe e paraqet aty si ndihmës të investitorit. Por këto janë çështjet tuaja. Shqiptarët i kanë dhënë përgjigjet më 3 korrik dhe unë nuk merrem me to.
Edhe një herë ju siguroj në konsistencën tonë në projekt, në përparësitë që kemi shpallur publikisht para shqiptarëve.
Falemnderit!
Gramoz Ruçi - Për të disatën herë rresht më zihet në gojë vendlindja ime, për të cilën unë jam krenar, si unë për ta dhe ata për mua. Me mall më presim dhe po kaq me mall shkoj, dhe jo si ti që nuk shkon dot në vendlindjen tënde.
Për të disatën herë po përmend që prioriteti yt është Vlora. Unë uroj dhe shpresoj që ti ta duash Vlorën më shumë sesa mua, zoti Sali, se Vlora është Vlorë dhe kur vajte ti në Vlorë në një kohë të vështirë, të pritën siç pritet miku, siç pritet burri me emër. Kur vajte vajte si mashkull; kur ike, ike si femër.
Ju sot thatë një gjë, që meqë Jugu ka votuar kundër teje, ti nuk do të sabotosh Korridorin Veri-Jug si dënim për këtë popull. Gjithë legjenda e të gjitha pseudoargumenteve që ju sollët, është vetëm kjo. Pra, duhet dënuar Fieri, duhet dënuar Vlora, duhet dënuar Tepelena, duhet dënuar Gjirokastra, duhet dënuar Përmeti, se nuk kanë votuar asnjëherë për ju. Qartë!
TemA
Lini një Përgjigje