Qytetarët janë mbledhur këtë të hënë për ditën e 58-të të protestës, e cila përkon me zhvillimin e seancës plenare në Kuvend.
Tubimi nisi përpara godinës së Parlamentit, ku Policia e Shtetit kishte vendosur masa të rrepta sigurie. Rreth zonës u ngrit një perimetër i ngjashëm me atë të seancës së të enjtes së javës së kaluar, ndërsa në gatishmëri u vendosën forca të shumta policie dhe autobotë me ujë.
Më pas, protestuesit u zhvendosën drejt Ministrisë së Brendshme, ku prania e tyre solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve. Edhe përpara këtij institucioni ishin dislokuar forca policie, të cilat monitoruan lëvizjen e qytetarëve.
Protestuesit vijuan më pas marshimin drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke tentuar të bllokojnë qarkullimin në disa segmente të tij. Policia ka ndjekur nga afër zhvendosjen e tyre, ndërsa protesta vijon paralelisht me seancën plenare që nisi në orën 10:00.
Lini një Përgjigje