Krye-akademiku i Kosovës, Mehmet Kraja i shkruan Akademisë së Suedisë: Anuloni çmimin ndaj një shkrimtari që përkrah fashizmin dhe genocidin ndaj popullit tim

10 Tetor 2019, 17:10Kulturë TEMA

Krye akademiku i Kosovës, Mehmet Kraja, ka reaguar ashpër pasi Akademia e Suedisë i ka akorduar çmimin Nobel për letërsi, shkrimtarit austriak Peter Handke.

Ai i ka dërguar një letër Akademisë, me anë të së cilës kërkon tërheqjen e çmimit të dhënë për Handke, pasi e konsideron atë si fashist.

Letra e Krajës, dërguar Akademisë së Suedisë

Prishtinë, 10 tetor 2019

Akademisë Suedeze, Stokholm

Në dijeni: Jurisë për ndarjen e Çmimit Nobel për Letërsi

Të nderuar titullarë dhe anëtarë të Akademisë,

Me indinjatë të thellë morëm lajmin e shëmtuar se laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 është shkrimtari Peter Handke, një eksponent i shquar i ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviqit dhe i luftërave të tij gjenocidale në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Si Akademi e një shteti të sapo krijuar mbi vlerat perëndimore të lirisë së popujve dhe institucion që edhe vetë ka vuajtur segregacionin dhe aparthejdin e një regjimi të urryer dhe luftën e tij shfarosëse, nuk kemi besuar se kaq shpejt do të përballemi me humbjen e kujtesës dhe amnistinë morale të atyre që mbështeten me aq pasion një vrasës të popujve, siç bëri laureati i juaj, Peter Handke. Mospajtimi i thellë me angazhimet politike dhe deklarimet publike të Handkes, bashkë me mbështetjen e pakursyer të mbarë botës progresive, përfshirë edhe Suedinë, bëri që sot popull ynë të njohë lirinë dhe jetën e dinjitetshme.

Peter Handke nuk ishte në anën e drejtë të historisë së popujve të Ballkanit dhe as të Kosovës; nuk ishte në anën e ndritshme të ideve, por gjeti strehë në anën e errët të ngjarjeve tragjike të Ballkanit. Si rrallë ndokush tjetër, ai mori pjesë në varrimin e Milosheviqit dhe deklaroi: “Nuk e di të vërtetën. Por unë shoh. Unë ndjej. Unë mbaj mend. Andaj  jam këtu sot, pranë Jugosllavisë, pranë Serbisë dhe pranë Sllobodan Milosheviqit”. Më herët, në maj të vitit 1999, ai u deklarua kundër bombardimeve të NATO-s, duke thënë se Aleanca Veriatlantike nuk është duke parandaluar Aushvicin e ri, por është duke e krijuar atë. Ai sulmoi pa dallim të gjithë ata që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, qofshin politikanë apo dijetarë të shquar të mbarë botës. Ende sot trazojnë Ballkanin aq shumë viktima pa varre, të cilat kërkojnë prehje dhe drejtësi.

Ideja se angazhimet dhe bindjet politike duhet ndarë nga vepra e një shkrimtari, nuk funksionon në rastin e Peter Handkes. Përkundrazi, idetë e tij agresive u afishuan aq shumë, teksa synonin të luhatnin fondamentin e vlerave të civilizimit dhe humanitetit.

Të zhgënjyer thellësisht me ndarjen e sivjetshme të Çmimit Nobel, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës kërkon të anulohet ky vendim i Akademisë Suedeze, si akt mirëkuptimi e solidariteti me të gjithë popujt e botës që luftojnë për liri dhe vlera demokratike.

Me respekt,

Mehmet Kraja,

Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

2 komente në “Krye-akademiku i Kosovës, Mehmet Kraja i shkruan Akademisë së Suedisë: Anuloni çmimin ndaj një shkrimtari që përkrah fashizmin dhe genocidin ndaj popullit tim”

  1. Karaburuni says:

    A duhet te kete nje Cmim Nobel per Paqen?!

    Nitroglycerine (TNG) eshte nje leng shperthyes, nje perberes jo-organik nitrat (i azotit).
    U zbulua me 1847 nga kimisti Italian Ascanio Sobrero.
    Nitroglycerina u adaptua me vone si nje eksploziv i dobishem tregtar nga Albert Nobel, qe gjeti rruge per ta bere me te sigurt ne perdorim, pas vrasjes se vellait te tij dhe disa puntoresh nga nje ekspozion ne FABRIKEN E ARMATIMEVE NOBEL, me 1864 ne Suedi. Sipas burimeve te arsyshme, per kete ndihmoj dhe fakti qe ne laborator duke dashur te hidhte nitroglicerine nga nje epruvet qelqi ne tjetren, epruveta me leng ra ne toke dhe ai mbylli syte, e priste te hidhej ne ere.
    Mrekullia ndodhi se pastruesja kish hedhur tallazh dhe shishja nuk plasi.
    Bashkimi i nitroglicerines me tallazh druri, ne vija te pergjithshme, coi ne prodhimin e lendeve eksploduese, kryesisht dinamitit qe u perdoren per ndertim, shkaterrim dhe industrin e minjerave. Qe nga 1880 filloi te perdoret per qellime ushtarake ne permasa te medha.
    Pra, produkti i FABRIKEN SE ARMATIMEVE NOBEL, dinamiti, SHERBEU JO VETEM PER NDERTIME POR KRYESISHT PER VRASJE MILJONA E MILJONA NJERZISH NE TERE BOTEN. Ky problem eshte ngritur e po ngrieht me shume force.

    Valle deshiron Komiteti Nobel ne 100 vjetorin e Cimimit Nobel per Paqe, qe duke I dhene Cmimin Nobel er Paqe 16 vjecares suedeze Greta Thumber, te mbuloje burimeve monetare qe mbajne ere gjak te Fondacionit Nobel!?
    Dhejna e Cmimit Nobel ne letersi psikpoatit te rrezikshem Handke, qe ka mbrojtur boterisht Kasapin e Ballkanit Miloshevic eshte nje fakt shume domethenes qe tregon se Komiteti Nobel mbron ne menyren e vet shkaktaret e luftrave dhe genocidit kundra popujve paqsor.

  2. Cipini- nga Toronto says:

    Te lumte z. Mehmet, eshte shume e rendesishme ngritja e zerit per dinjitetin e popullit te Kosoves dhe mbare kombit tone.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje