ANALIZA: Quajeni "Revolucioni Reja": Ekuilibër, soliditet, grintë dhe frymë grupi! Tani fiton... meritokracia!

15 Tetor 2019, 18:36Sport TEMA

“Këtu nuk arsyetohet me unë por me ne!”… Ndër fjalët e para që trajneri Edoardo Reja i ka thënë grupit në grumbullimin që ka bërë dhe është njohur me kuqezinjtë ishte kjo. Ideja e një trajneri që është si ai marinari që ka lundruar për shumë vite në det te hapur, duke sfiduar edhe stuhitë, dallgët dhe kohën e keqe, por që ka parë edhe diellin dhe ujin e qetë.

Eksperienca që ka akumuluar që në vitet ’80, kur e ka nisur (në atë kohë Shqipëria ishte ende nën thundrën e diktaturës së komunizmit) te ekipi i Serie D, Molinella, për të vijuar më pas me klube më të mëdha, duke ngjitur kategori dhe duke bërë “gavetta”, siç i thotë italiani.

Genoa, Lazio, Bologa, Lecce, Brescia, Napoli, Torino, Verona e kështu me radhë. Ka kaluar gjithçka 74-vjeçari, por edhe ka mësuar se që një skuadër të funksionojë, duhet që grupi të jetë i bashkuar dhe të luftojnë në një drejtim.

Kështu, pasi nisi të përshtatej dhe kuptonte se çfarë nuk funksiononte, si ai rrobaqepësi i mirë që di të arnojë një rrobë në mënyrë që të duket sa më e bukur për sytë dhe të pëlqehet, edhe pse nuk është stofë e kushtueshme, nisi të vendoste copëzat e mozaikut kuqezi.

Provoi disa koncepte, disa ide taktike dhe teknike, u njoh me potencialin e futbollistëve në dispozicion, por edhe atë që mund të jepnin.

Kështu, kaloi nga Bare si regjizor përpara mbrojtjes, te Bare në mesfushor të avancuar. Nga dyshja Cikalleshi-Balaj në sulm te Cikalleshi-Manaj, me Sadikun që do të rikthehet gjithashtu. Rrotacion i nevojshëm dhe që i sjell atë stabilitet që kërkohej.

Jo vetëm kaq, por edhe soliditet në mbrojtje, në një repart ku tashmë ka luksin e zgjedhjes. Aty ku debutoi edhe Kumbulla, një futbollist me prespektivë dhe personalitet. Gjimshiti, Veseli, Ismajli, Dermaku e kështu me radhë. Ka edhe përvojën e Mavrajt në dispozicion, edhe pse këtë grumbullim nuk ishte.

I kaloi në heshtje dhe pa polemika hatërmbetjet e disa elementëve, duke treguar se grupi vjen mbi të gjithë dhe çdo gjë. Pa presion, pa trysni të jashtme, risolli gëzimin te futbollistët e pezmatuar nga të bërtiturat dhe çjerrjet e Christian Panuçit, që tentoi të bënte mrekullinë dhe futbollin shampanjë por që u kthye në Itali me një grusht me miza.

Normalizues! Reja solli qetësinë. E bëri me durim dhe duke futur në punë eksperiencën. Mbi 30 vjet trajner, ishte larguar nga kjo fushë, por u rikthye ndoshta për sfidën e fundit: të ndryshojë brezin dhe riformatojë Shqipërinë me një bosht të ri. Do të kishim dashur të ishte të paktën 10 vite më i ri, për të hapur një cikël të gjatë.

Deri tani, italiani ka bërë një punë të shkëlqyer dhe frytet po duken: 4 gola ndaj Islandës, 4 gola ndaj Moldavisë! Ndeshje e madhe në Turqi dhe e humbur pa meritë. Ka mbetur nëntori dhe dy sfidat e fundit, por aty do të jetë sërish për përmirësim.

Donte të shihte hapa përpara trajneri dhe i ka parë. Lojtarët po përgjigjen. Në mesfushë ka gjetur Gjasulën si dikur De Biasi bëri me Burim Kukelin. i thjeshtë në pasime, luftarak në ndërhyrje. Krahët janë një tjetër punë që do të duhet të përmirësojë por do ta bëjë me kalimin e kohës.

Debutimi i Trashit ishte çmim për lojtarin e Partizanit, i merituar plotësisht. Në të ardhmen, është në xhiro edhe ai. E gjitha, duke hedhur sytë edhe nga U-21. Nuk po bën shpikje Reja, thjesht riformatim, organizim. Jo diktaturë, por demokraci dhe, sidomos, meritokraci!

Nuk po bën asgjë të jashtëzakonshme, sepse kemi nevojë vetëm për gjëra të zakonshme! E vetmja e keqe? Anagrafika! Mosha e tij që e penalizon të hapë një cikël dhe të ketë energjitë për t’ia dalë! Të shohim, të presim! Duam të na përgënjeshtrojë!(Telesport)

9 komente në “ANALIZA: Quajeni “Revolucioni Reja”: Ekuilibër, soliditet, grintë dhe frymë grupi! Tani fiton… meritokracia!”

  1. Deti says:

    Reja punetor dhe I thjeshte. Perzgjedh, krijon Groupon, eksperimenton dhe po nderton lojen. Futbolli shqiptar si asnjehere.

  2. Tomas says:

    Pjesa me e madhe e profesoreve te vjeter jane pothuaj gjithmone me te mire se ata te rinjte fale eksperiences!
    Manaj i rilindur…
    Krahu i djathte edhe pse mungonte Hysaj per mendimin tim nga me te miret qe ka pasur ndonjehere kombetarja e Shqiperise kush e zevendesoi ishte ne nivel taktik teknik dhe psikologjik ne nje nivel tjeter nga pjesa tjeter e ekipit sipas mendimit tim!

  3. Mirel says:

    Shume bukur. E meriton kete shkrim ky trainer I madh. Respekte.

  4. Tifozi says:

    Eshte me te vertete per tu vleresuar Edi Reja , nje bravo e madhe.
    Ne si tifoze gezohemi gjithashtu , qe kemi lojtare me shume energji dhe me deshire per te luajtur, aftesite e tyre tashme po dalin ne pah. Urojme fitore ne ndeshjet e ardhshme

  5. Rromes says:

    Luajti kundra nje skuadre qe nuk ekzistonte ,pse mburreni kot Nuk kemi futboll ,iku ajo kohe qe rrinim edhe skuadra me te medha ,kot e mbi.

  6. Don says:

    Dakord por ky trajner po perserit ne menyre fatale vendosjen ne pozicionin e gabuar te Odise Roshit duke e asfiksuar mbrojtjen dhe dobesuar forcen terheqese drejt sulmit. Roshi qe eshte forca kryesore e ekipit i jepet detyra raskapitese te mbuloje edhe mbrojtjen qe se ka per natyre dhe te beje edhe mesfushen e sulmin njekohesisht. Nuk ka asnje lojtar ne bote qe ta shfrytezosh keshtu ne menyre raskapitese dhe rezultati jane gabimet fatale ne fund kur lojtarit i kane rene edhe energjite. Bulku dhe Salihi duhet ti sugjerojne Rejas se kjo nuk eshte racionale dhe se demton balancimin e skuadres dhe efektivitetin e lojes. Roshi ne pozicionin e tij eshte brilant dhe gjithmone rezultativ.

  7. am says:

    Na falni o gazebythe. Çfarë është “grinte” se kërkova në fjalor dhe s’e gjeta?!

  8. Sami says:

    Forcen me efficiente goditese te ekipit qe eshte Odise Roshi, ky trajner e masakron me detyra sa per 3 lojtar dmth te beje mbrojtesin mesfushorin dhe sulmuesin njekohesisht. Ne themi dy kunguj ne nje sqetull nuk mbahen kurse ky trajne thote mbahen 3 kunguj. Fitorja ndaj Moldavise nuk identifikon sakte cfare ekipi kemi. Moldavia ishte nje ekip i corganizuar i dobet dhe pa motivacion.

  9. eh, ç'tu theme says:

    Qendroni me kembe ne toke dhe koke mbi shpatulla, mos fluturoni kot. Skuadra ka shpirt gare, por taktikisht eshte e dobet. Portjeri eshte mendje madh dhe me mire nje lojtar portjer te thjeshte se sa nje qe i eshte rritur mendja dhe ben ato gafa si me Turqine duke u pertypur si ripertypes 90 minuta. Nuk ka asnje shans Shqiperia te shkoje prape ne europian. Keq me vjen, po ne kete rast “jam me Lulezim Bashen” qe nuk do qe Shqiperia te hap negociatat. E kuptoni?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje