Partia e Gjelbër ka fituar mbështetje në zgjedhjet e ditës së Diel në Zvicër, duke i dhënë mundësinë ambientalistëve që të bëhen pjesë e koalicionit që ka qeverisur vendin prej dekadash. Presidentja e partisë së gjelbër, Regula Rytz, së bashku me kandidatë të tjerë, u pritën me duartrokitje në selinë e partisë në Bern, pasi rezultatet e zgjedhjeve federale treguan një rritje më të madhe se ç’pritej të partisë.
“Është e pabesueshme që kemi fituar kaq shumë vende dhe të kuptojmë se njerëzit mendojnë që të gjelbrit janë ata që do bëjnë ndryshimin. Mendoj se njerëzit e kanë kuptuar se ekonomia jonë ka ecur kundër natyrës prej dekadash,” u shpreh Rytz.
Partia e djathtë ekstreme (SVP) qëndroi në vend të parë, sipas projeksioneve, por ashtu si partitë e tjera të mëdha, humbi mbështetje ndërkohë që partitë ambientaliste fituan vota prej shqetësimeve të ndryshimit klimatik. Zvicra është e cënuar nga ndryshimi klimatik ndërkohë që temperaturat në vend po rriten dy herë sipër normës mesatare botërore. Partia popullore (SVP), që fitoi numër rekord të vendeve në 2015-ën prej krizës së refugjatëve në Europë, ra në 25.8%, ndërsa përmasa e të gjelbërve u rrit në 13%.
Partia e Gjelbër Liberale, u rrit në 7.9%, duke e çuar fuqinë e të dyjave në rreth 21%. Së bashku, ato fituan 26 vende në parlamentin me 200 anëtarë, duke pasur mundësinë për të marrë një nga vendet në kabinetin me 7 anëtarë, që është Këshilli Federal. Ndryshimi i vetëm 1 anëtari në kabinet do ishte historik, ndërkohë që të gjelbrit nuk kanë pasur asnjëherë vend në qeverinë federale.