Një javë më parë i prishi debutimin Stefano Piolit në pankinën e Milanit, duke u rrëmbyer kuqezinjve një barazim në shtesë, ndërsa sot Lecce ia doli t’i shkaktojë ndalesën e dytë sezonale Juventusit në “Via del Mare”.
Bardhezinjtë e Sarrit konfirmuan se nuk janë e njëjta skuadër dhe sot nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në transfertën ndaj ekipit të sapongjitur në Serinë A, në një sfidë fati i të cilës u vendos nga dy 11-metërsha të akorduar në pjesën e dytë.
Fillimisht ishte Juventusi që fitoi një penallti me Pjaniç në minutën e 50’, me ndihmën edhe të teknologjisë VAR, ndërsa nga pika e bardhë e penalltisë ishte Paulo Dybala që gjeti golin, duke konfirmuar momentin e mirë që po kalon.
Vetëm 6 minuta më vonë ishte holandezi De Ligt, që tregoi sërish dobësi në kontrollin e pozicionit të duarve, pasi ndali me to një top në zonë dhe arbitri nuk u mendua dy herë për të vërshëllyer penallti për Leccen, të cilën e shndërroi në gol Mancosu.
Deri në fund pati raste të shumta, veçanërisht nga ana e Juventusit, që i shkoi disa herë pranë golit të avantazhit, por pa ia dalë të thyejë portierin Gabriel. Tani bardhezinjtë shkojnë në kuotën e 23 pikëve dhe rrezikojnë të parakalohen nga Interi në krye, nëse zikaltrit fitojnë në sfidën me Parmën.