Robotët humanoidë, gara për teknologjinë e së ardhmes

25 Korrik 2026, 18:25Hi-Tech TEMA
Robotët humanoidë, gara për teknologjinë e së ardhmes

Deri pak vite më parë, robotët humanoidë i shihnim vetëm në filmat fantastiko-shkencorë.

Sot, në fabrika, qendra kërkimore, ambiente shërbimi e madje edhe në jetën e përditshme, po prodhohen dhe testohen gjithmonë e më shumë të tillë.

Në Kinë, zhvillimi i robotëve inteligjentë është kthyer tashmë në një nga sektorët me rritjen më të shpejtë, ndërsa autoritetet e vendit e konsiderojnë robotikën dhe inteligjencën artificiale si pjesë të industrive strategjike të së ardhmes.

Pamjet tregojnë robotë që përgatisin çaj, shtrëngojnë vida në linjat e prodhimit, praktikojnë Tai Chi, luajnë në piano apo edhe qen robotë që tërheqin turistë me patina.

Pas këtyre demonstrimeve qëndron një industri që po zhvillohet me ritme të shpejta.

“Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, robotët me katër këmbë të zhvilluar në Kinë përbënin pothuajse 70 për qind të shitjeve globale në sektorin e robotikës inteligjente, ndërsa vendi ka zhvilluar mbi 400 modele robotësh humanoidë, më shumë se gjysmën e totalit botëror. Në fusha si inteligjenca artificiale, gjysmëpërçuesit, energjia e re dhe biomjekësia, janë shfaqur një numër i madh kompanish me ndikim global, duke kontribuar në zhvillimin e standardeve ndërkombëtare dhe të industrisë”, pohoi Wang Weiming, kryeinxhinier i Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës.

Sipas Ministrisë kineze të Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, Kina ka zhvilluar më shumë se 400 modele robotësh humanoidë, që përbëjnë mbi gjysmën e modeleve të krijuara në nivel global.

Gara për robotët humanoidë nuk zhvillohet vetëm në Kinë. Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut janë gjithashtu ndër vendet që investojnë miliarda dollarë në këtë teknologji. Kompani amerikane si Tesla, me robotin Optimus, apo Figure AI, si edhe kompani japoneze dhe koreano-jugore, po zhvillojnë modele që synojnë të punojnë në fabrika, magazina dhe sektorin e shërbimeve. Megjithatë, sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet kineze, Kina kryeson aktualisht për nga numri i modeleve të zhvilluara dhe ritmi i prodhimit.

Por çfarë janë robotët humanoidë?

Bëhet fjalë për pajisje inteligjente të krijuara për t’i ngjarë njeriut, si në pamje ashtu edhe në mënyrën e lëvizjes. Të pajisur me inteligjencë artificiale, sensorë dhe sisteme të avancuara, ato janë në gjendje të ndërveprojnë me mjedisin, të kuptojnë komandat dhe të kryejnë detyra që deri pak vite më parë konsideroheshin ekskluzivisht punë e njerëzve.

Qëllimi është që këta robotë të mund të punojnë në të njëjtat ambiente ku punojnë njerëzit, pa pasur nevojë për ndryshime të mëdha në infrastrukturë.

Për këtë arsye, kompanitë teknologjike po i testojnë gjithnjë e më shumë në fabrika, magazina, qendra logjistike, shërbime, kujdes shëndetësor dhe sektorë të tjerë, ku mungesa e fuqisë punëtore po kthehet në një sfidë.

Por robotët humanoidë nuk janë krijuar vetëm për të kryer punë fizike.

Falë zhvillimit të inteligjencës artificiale, ata mund të njohin objekte, të analizojnë mjedisin përreth, të komunikojnë me njerëzit dhe të marrin vendime të thjeshta në kohë reale.

Kjo është arsyeja pse shumë ekspertë e konsiderojnë robotikën humanoide si një nga revolucionet e ardhshme teknologjike.

Në të njëjtën kohë, përparimi i tyre lidhet ngushtë edhe me zhvillimin e procesorëve, sensorëve dhe modeleve të avancuara të inteligjencës artificiale.

Megjithatë, zhvillimi i kësaj teknologjie shoqërohet edhe me debate.

Ndërsa kompanitë argumentojnë se robotët do të ndihmojnë në kryerjen e punëve të rrezikshme, të lodhshme ose të përsëritura, shumë ekspertë shtrojnë pyetje mbi ndikimin që automatizimi mund të ketë në tregun e punës dhe mënyrën se si njerëzit do të bashkëjetojnë me këto pajisje inteligjente.

Një tjetër sfidë mbetet krijimi i standardeve të sigurisë, në mënyrë që robotët të ndërveprojnë në mënyrë të sigurt me njerëzit në ambientet e punës dhe në jetën e përditshme.

Përveç robotikës, autoritetet kineze bëjnë të ditur se edhe sektorë të tjerë strategjikë, si inteligjenca artificiale, gjysmëpërçuesit, energjia e re dhe biomjekësia, po regjistrojnë rritje të shpejtë.

Sipas të dhënave zyrtare, përdorimi i teknologjive të inteligjencës artificiale në ndërmarrjet e mëdha ka kaluar në masën 30 për qind gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërsa modelet e inteligjencës artificiale me kod të hapur kanë regjistruar mbi 10 miliardë shkarkime në nivel global.

Nga robotët që përgatisin një filxhan çaj, te ata që punojnë në linjat e prodhimit apo ndihmojnë në kryerjen e detyrave të përditshme, teknologjia po ndryshon me ritme të larta, që deri dje dukeshin të paimagjinueshme.

Në garën globale për inteligjencën artificiale dhe robotikën, investimet po rriten nga viti në vit.

Ndërsa robotët humanoidë bëhen gjithnjë e më të aftë, mbetet për t’u parë se sa shpejt do të kalojnë nga laboratorët në jetën tonë të përditshme dhe çfarë roli do të kenë në shoqërinë e së nesërmes.

Lini një Përgjigje